Shqipëria

Dërgohen në atdhe shtetasit rusë që humbën jetën në Shqipëri


Të premten e 22 tetorit, trupat e katër shtetasve rusë, të cilët vdiqën më 15 tetor në një hotel në Qerret, u dërguan në Rusi.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Ruse në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook dhe Twitter.

Ambasada shkruan se në përputhje me legjislacionin rus, mund të kryhet ekzamini shtesë mjekoligjor për të hetuar shkaqet e vdekjes së tyre.

“Mezi presim të marrim opinione zyrtare të palës shqiptare për këtë çështje dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për të sqaruar rrethanat e tragjedisë”, përfundon njoftimin e saj Ambasada.

Vdekja e katërfishtë e rusëve

Të hënën e 18 tetorit, vdekja e katërfishtë e shtetasve rusë u regjistrua nga ana e drejtësisë shqiptare si vepër penale e “vrasjes”.

Ambasada ruse në Shqipëri të dielën e 17 tetorit konfirmoi dhe identitetet e tyre, që kishin marrëdhënie familjare: Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov.

Më herët, autoritetet hetuese shtuan pistat e mundshme lidhur me shkaqet e vdekjes së tyre.

Ndërkohë detajet e reja të hetimit lidheshin me vendin ku dyshohet se turistët kanë ndërruar jetë.

Shtetasit rusë kanë gjetur vdekjen në ambientet e pishinës dimërore të hotelit dhe jo në sauna, siç u raportua në fillim.

Dyshohet se përqendrimi i klorit ka qenë shumë i lartë, duke bërë që ata të asfiksohen dhe të gjejnë vdekjen.

Prokuroria po hetonte dhe mundësinë e helmimit të tyre. Ata një ditë para mbërritjes në Shqipëri, kishin drekuar në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

Grupi hetimor ka marrë kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë. Gjithashtu është matur cilësia e ajrit nga ekspertët.

Mediat e huaja, e mbi të gjitha ato ruse, e kanë pasqyruar ngjarjen me kuriozitet. Ndër këto media, edhe ajo britanike, Daily Mail, i ka kushtuar një artikull të veçantë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore