Shqipëria

Vdekja e katër rusëve – klasifikohet si “vrasje”


Të hënën e 18 tetorit, vdekja e katër turistëve u regjistrua nga ana e drejtësisë shqiptare si vepër penale e “vrasjes”.

Më herët, autoritetet hetuese shtuan pistat e mundshme lidhur me shkaqet e vdekjes së katër rusëve që po qëndronin në Qerret; Natalia Burenkova, Sergey Burenkov, Ekaterina Burenkaya dhe Nikita Belousov.

Gjatë ditës, pritet që Mjekësia Ligjore të nxjerrë ekspertizën, që do të zbulojë më shumë mbi vdekjen e turistëve rusë.

Ambasada ruse në Shqipëri të dielën e 17 tetorit konfirmoi identitetet e vdekjes së katërfishtë të shtetasve rusë, mbrëmjen e 15 tetorit në një hotel në Qerret.

Nga ambasada u njoftua se janë në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë ligjzbatuese shqiptare dhe po heton rrethanat e asaj që ka ndodhur.

“Ne presim një hetim të plotë nga pala shqiptare e shkaqeve të vdekjes së rusëve”, bëhej me dije në faqen zyrtare Twitter të Ambasadës.

Gjithashtu ajo njoftoi të afërmit e të ndjerëve se trupat e tyre do të riatdhesohen në vendlindje.

Ndërkohë detajet e reja të hetimit lidheshin me vendin ku dyshohet se turistët kanë ndërruar jetë.

Shtetasit rusë kanë gjetur vdekjen në ambientet e pishinës dimërore të hotelit dhe jo në sauna siç u raportua më herët.

Dyshohet se përqendrimi i klorit ka qenë shumë i lartë, duke bërë që ata të asfiksohen dhe të gjejnë vdekjen.

Prokuroria po heton dhe mundësinë e helmimit të tyre. Ata një ditë para mbërritjes në Shqipëri, kishin drekuar në shtetin fqinj,  Maqedoninë e Veriut.

Deri më tani mësohet se janë marrë kampionët e ujit dhe të klorit të përdorur në pishinë. Gjithashtu është matur cilësia e ajrit nga ekspertët.

Mediat e huaja, e mbi të gjitha ato ruse, e kanë pasqyruar ngjarjen me kuriozitet. Ndër këto media, edhe ajo britanike, Daily Mail, i ka kushtuar një artikull të veçantë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore