Kultura

New York-u e ka “fasulen” e tij më në fund


Një skulpturë e gjerë, e lakuar, e cila reflekton gjithçka çfarë i vendoset përpara dhe është realizuar nga artisti Anish Kapoor.

Nuk e ka ende një emër, por në “mollën e madhe” amerikane, New York, kanë filluar ta quajnë si simotra e saj në Chicago: Fasulja.

Atë formë e përfaqëson ajo në fakt dhe në qytetin verior të SHBA-ve, Chicago, është kthyer në një pikë të vërtetë destinacioni turistik, pasi një foto te “fasulja”, është domosdoshmëri për çdo udhëtar dhe një kujtim i bukur.

Të njëjtin fat mund ta ketë edhe struktura e re e çeliktë, e cila është vendosur në zonën e njohur të Tribeca-s në New York, në një cep mes rrugëve “Church” dhe “Leonard”.

Ajo është 5.7 metra e lartë dhe për ta sjellë në jetë si vepër, janë dashur midis 8 dhe 10 milionë dollarë.

Ndryshe nga si “Fasulja” paraqitet në Chicago, në mes të një sheshi publik, siç është MIllenium Park, këtu ajo reflektohet si një flluskë e shtypur nga një pallat mbi të, i cili për pak sa nuk e bën të shpërthejë.

Siç është raportuar në vitin 2016 nga media e njohur amerikane “New York Post”, vetë artisti Kapoor, pati blerë në vitin 2016 një apartament në godinën ku ka vendosur tashmë statujën e tij më të re.

Ky apartament, ka kushtuar disi më shumë se vetë ndërtimi i “fasules”, plot 13.5 milionë dollarë, por duke marrë parasysh zonën në të cilën është i vendosur, ia ka vlejtur investimi.

Kapoor e kishte bërë ndërmend shumë më parë ideimin e veprës së tij, por për shkak të pandemisë COVID-19 dhe komplikimeve të tjera arkitekturore, ai nuk arriti ta plotësojë, përveçse tani.

Me cepin e ri shkëlqyes të rrugës në Tribeca, vetëm një gjë pritet tashmë të vërshojë aty…kamerat e drejtuara për të shkrepur foton, drejt një objekti i cili gjithçka bën, është të të reflektojë imazhin pas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore