Përballje

Nets humbin ndeshjen e 10 radhazi, Suns e Knicks triumfojnë përballë Bucks dhe Warriors


Ndeshjet e NBA ishin dramatike dhe befasuese.

Washington Wizards – Brooklyn Nets

Ndeshja mes Washington Wizards dhe Brooklyn Nets ka përfunduar me fitoren e këtyre të parëve me rezultat 113:112.

Ndeshja ishte e baraspeshuar, që nga çereku i parë e deri të sekondat e fundit të ndeshjes.

Në momentet e fundit, teksa rezultati ishte 113:110, Cam Thomas gjuajti për tre pikë, për të barazuar rezultatin, por nuk arriti të shënonte.

Për Nets, kjo është humbja e dhjetë radhazi, e cila i radhit ata në pozitën e tetë.

Para lëndimit të Kevin Durant, Brooklyn radhiteshin në pozitën e parë, por tani kjo mungesë e tij, ka shkaktuar problem të mëdha për Nets.

Më të dalluarit në anët e Wizards ishin Raul Neto me 21 pikë dhe Kyle Kuzma me dyshifrorë të trefishtë prej 15 pikësh, 13 kërcimesh e 10 asistimesh.

Ndërsa te Nets, më të mirët ishin Kyrie Irving me 31 pikë dhe Cam Thomas me 27.

Phoenix Suns – Milwaukee Bucks

Dueli mes Phoenix Suns dhe Milwaukee Bucks përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat 131:107.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar, deri në çerekun e dytë e të tretë ku Suns dominuan plotësisht Bucks.

Chris Paul pati një sekuencë ku e rrëzoi në tokë Jrue Holiday me driblimin e tij dhe pastaj shënoi.

Ndryshe nga ndeshja kundër Lakers, Giannis Antetokounmpo nuk ishte në formën e tij më të mirë përballë Phoenix.

Më të dalluarit në anët e Suns ishin Deandre Ayton me 27 pikë dhe Chris Paul me 17 pikë e 19 asistime.

Ndërsa te Bucks, më të mirët ishin Jrue Holiday e Khris Middleton me nga 21 pikë.

Golden State Warriors – New York Knicks

Ndeshja mes Golden State Warriors e New York Knicks përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 114:116.

Ndeshja ishte e baraspeshuar, ku fituesi nuk u dit deri në përfundimin e ndeshjes.

Klay Thompson pati mundësinë për të shënuar në posedimin e fundit, por nuk arriti të barazoi rezultatin për Warriors.

Më të dalluarit te Knicks ishin Julius Randle me 28 pikë e 16 kërcime dhe Evan Fournier me 22 pikë.

Kurse te Warriors më të mirët ishin Stephen Curry me 35 pikë e 10 asistime dhe Klay Thompson me 17 pikë.

Ndërsa ndeshjet e tjera të luajtura në NBA përfunduan kështu:

Detroit Pistons – Memphis Grizzlies 107:132

New Orleans Pelicans – Miami Heat 97:112

Houston Rockets – Toronto Raptors 120:139

Dallas Mavericks – Los Angeles Clippers 112:105

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore