Lajme

“Nëse kryetarët në Veri janë zgjedhur sipas ligjit, atëherë pse BE-ja po kërkon zgjedhje të reja” – pyet Grenell


Richard Grenell

Duke komentuar situatën e krijuar në Veri të Kosovës ku serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ish i dërguari i posaçëm i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se “populli i Kosovës meriton më mirë”, pasi sipas tij “Kurti ka arritur të izolojë plotësisht Kosovën”.

Grenell, në një intervistë për gazetaren serbe, Ksenija Pavlovic McAteer, përpos që ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mandatin e kryetarëve të komunave në Veri të Kosovës, ka pyetur “nëse ata janë të zgjedhur sipas ligjeve, atëherë pse Bashkimi Evropian po kërkon zgjedhje të reja?” duke iu referuar kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhje të reja në këtë pjesë të vendit pas përshkallëzimit të situatës atje.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it – Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë, fajtore e kanë bërë Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojë kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohen për rizgjedhje në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, pas tensioneve të fundit atje. Por me kusht që serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore