Lajme

Në Komisionin për Legjislacion kalon buxheti, opozita e kundërshton


Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Raporti me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2022, gjatë ditës së hënë ka kaluar me pesë vota pro, katër kundër dhe asnjë abstenim në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Raporti në fjalë nuk e ka marrë mbështetjen e partive opozitare, me arsyetim se Projektligji për ndarjet buxhetore nuk i plotëson kushtet e qytetarëve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa i cili është anëtarë i këtij komisioni ka potencuar se nëse Qeveria reflekton sa i përket Ligjit të pagave si parti ata do ta votojnë buxhetin.

“Ne nuk do t’i votojmë këto amendamente dhe është qëndrim i PDK-së, kështu që nëse reflekton Qeveria me Ligjin për paga atëherë do të kemi qëndrim tjetër”, ka thënë Beqa.

Hajdar Beqa

Në anën tjetër Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se amendamenti i tij për zonën ekonomike të Podujevës është larguar nga ky raport duke e cilësuar këtë si mashtrim.

“Në amendamentin ku bëhet fjalë për Zonën ekonomike të Podujevës, amendament të cilin unë e kam paraqit e kemi kërkuar buxhetin prej 500 mijë eurosh dhe këtu e shoh se loja dhe mashtrimi që qenka bërë, e që qenkan vendosur vetëm 200 mijë euro dhe tre deputetë të pozitës më thanë se kaloi amendamenti yt. Ky amendament është mashtrim ose mosdije”, ka shtuar Tahiri.

Besnik Tahiri

Problemi i ngritur nga Tahiri është sqaruar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha i cili ka thënë se këto 200 mijë euro janë vetëm për 2022 dhe për vitin 2023 dhe 2024 priten të shtohen mjete tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore