Lajme

Në 1 vjetorin e prezantimit të planit franko-gjerman, Kurti kërkon nga BE-ja dhe ShBA-ja ta nxisin Serbinë që ta zbatojë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia, përkundër se e ka rënë dakord me versionin përfundimtar të Marrëveshjes Bazike, të arritur në Bruksel më 27, dhe e përforcuar me aneks më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, “tani kërkon ta minojë atë”.

Këto komente Kurti i bëri në një postim në rrjetin social X, teksa përkujtoi 1 vjetorin e prezantimit të planit franko-gjerman.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë duhet ta nxisin Serbinë që të përmbushë detyrimet e saj të traktatit – plotësisht dhe pa kushte”, shkroi.

Franca dhe Gjermania, si dy vendet kryesore të BE-së, në shtator të vitit të kaluar kishin propozuar një plan për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilin pati raportuar ekskluzivisht Albanian Post.

Pas negociatave të shumta, më 27 shkurt, në takimin në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel, do të arrihej edhe dakordimi i plotë mes dy vendeve.

Kjo do të pasohej me planin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë që u dakordua në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Marrëveshja Bazë, që parasheh përmasimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përbëhet nga 11 nene.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Zbatimi i kësaj marrëveshje ka mbetur në hije për shkak të tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës që nga 29 maji.

BE-ja dhe ShBA-të, pas pushimeve të verës, kanë rifilluar përpjekjet e tyre diplomatike për të zgjidhur problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim është edhe takimi i 14 shtatorit në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Ky takim u aranzhua pasi që i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takoi ndaras Kurtin dhe Vuçiç-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore