Përballje

Ndryshon lista e futbollistëve të ftuar te Shqipëria për miqësoret e marsit


Kombëtarja e Shqipërisë në futboll do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin mars, kundër Spanjës në udhëtim më 26 mars dhe kundër Gjeorgjisë tri ditë më vonë në ‘Air Albania’.

Për këto dy ndeshje, trajneri i kuqezinjve, Edoardo Reja, bëri publike listën e futbollistëve të ftuar, por ajo listë tani ka pësuar ndryshime.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka pasur dy ndryshime të fundit, pasi mbrojtësi Enea Mihaj dhe mesfushori Nedim Bajrami nuk do të jenë të gatshëm për këto dy sfida.

Nedim Bajrami

Mihaj ka rezultuar pozitiv pas testit Covid-19 dhe është karantinuar, duke mos pasur mundësi të grumbullohet me përfaqësuesen kuqezi.

Edhe Nedim Bajrami ka pasur simptoma gripale dhe temperaturë të lartë pasditen e të dielës.

Në këto kushte trajneri Edoardo Reja ka vendosur të thërrasë në Kombëtare mbrojtësin Herdi Prenga, i cili po bën paraqitje të mira këtë sezon me skuadrën e Kisvardas në Hungari.

Endri Çekiçi

Gjithashtu në vend të Bajramit, Reja vendosi ta ftojë Endri Çekiçin, i cili po bënë paraqitje të mira me skuadrën turke, Konyaspor.

Për Prengën është një rikthim pasi është grumbulluar edhe më parë me Kombëtaren A, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares U-21 në të kaluarën.

Futbollisti do t’i bashkohet të hënën skuadrës në grumbullimin që do të nisë në Barcelonë. Ndërsa Çekiçi ka qenë rregullisht pjesë e Kombëtares në ndeshjet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore