Shqipëria

“Ndizen dritat” e 86 banesave të rindërtuara nga tërmeti në Lezhë


Në prag të festave të fundvitit, në Lezhë janë dorëzuar 87 banesa të reja për ata qytetarë që mbetën pa banesa pas tërmetit që tronditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019.

Ka qenë kryeministri Edi Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj, që kanë dorëzuar çelësat e banesave.

Rama tha se ky ka qenë qëllimi i qeverisë shqiptare, “të ringrihemi më të fortë”.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, theksoi se gjithsej janë ndërtuar 97 banesa, ku 86 do u jepen atyre që mbetën pa shtëpi, nga tërmeti.

Më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shtuar 7 miliardë lekë për “Programin e Rindërtimit”.

Këtë lajm e bëri të ditur fill pas mbledhjes ministri i Shtetit për Rindërtimin njëkohësisht edhe zëvëndëskryeministri, Arben Ahmetaj.

“Ritheksoj se programi i rindërtimit ka vetëm 35 miliardë, kjo me të njëjtën logjikë për shpejtimin e rikthimit të familjeve në shtëpi”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore