Përballje

NBA: Washington Wizards dhe Utah Jazz triumfojnë në ndeshjet e tyre


Të martën në orët e hershme të mëngjesit u zhvilluan edhe dy ndeshje të fazës play-off në NBA.

Philadelphia 76ers kishin mundësinë për ta mbyllur kualifikimin ndaj Washington Wizards, por këta të fundit e fituan ndeshjen e mbrëmshme me rezultat 114:122, duke e ngushtuar serinë e ndeshjeve në 3:1.

Ndeshja vijoi të jetë e barabartë deri në çerekun e dytë, ku më pas në të tretin skuadra e Wizards dominoi lojën duke krijuar një epërsi prej 12 pikëve.

Te Wizards paraqitje të mirë pati Bradley Beal i cili realizoi 27 pikë dhe Rui Hachimuras me 20 pikë dhe 13 kërcime, ndërsa Russel Westbook kontribuoi me “tripple-duble” duke shënuar 19 pikë, 21 kërcime dhe 14 asistime.

Derisa për 76ers, kjo ishte një humbje që nuk ndikoi aq shumë, pasi ata kanë në dispozicion edhe tri ndeshje për të siguruar kualifikimin tutje.

Por, ndoshta më shumë se humbja, për të keq ndikoi lëndimi i yllit të tyre, Joel Embiid, i cili pësoi një dëmtim gjatë lojës.

Në sfidën tjetër, skuadra e Utah Jazz triumfoi sërish në parketin e Memphis Grizzlies, duke thelluar epërsinë e ndeshjeve në 3:1.

Jazz triumfoi me rezultat 120:113, kjo edhe falë paraqitjes fantastike të Donovan Mitchel, i cili shënoi 30 pikë dhe dhuroi tetë asistime.

Derisa, te skuadra vendase, me i dalluari ishte Ja Morant me 23 pikë dhe 12 asistime.

Edhe kjo ndeshje ishte e barabartë gjatë dy çerekëve të parë, pastaj të tretin skuadra e Jazz e fitoi me rezultat 41:33, duke e ruajtur epërsinë deri në fundin e ndeshjes.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore