Sport

Napoli humbet yllin e skuadrës për ndeshjet e mbetura të vitit 2021


Futbollisti i Napoli-t, Victor Osimhen, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen që ekipi i tij e humbi me rezultat 3:2, përballë Inter-it, takim ky i zhvilluar në kuadër të xhiros së 13-të në Serie A.

Osimhen u lëndua në minutën e 50-të, pas një përplasjeje kokë më kokë me mbrojtësin e Inter-it, Milan Skriniar në një dyluftim ajror.

Të dy futbollistët kërkuan menjëherë ndihmën mjekësore me mbrojtësin sllovak që u ngrit shpejt në këmbë për të vazhduar lojën, ndërsa sulmuesi nigerian nuk ia doli ta kthehej në aksion për të ndihmuar skuadrën e tij.

Menjëherë pas lëndimit, futbollisti 22 vjeçar u largua ne këmbë nga fusha, por pas ekzaminimeve mjekësore, dëmtimi doli të jetë më serioz sesa pritej.

Osimhen lëndoi kockën rreth syrit, duke pësuar frakturë në mollëzën e majtë, ku si pasojë e kësaj, duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për të kthyer në vend kockat e dëmtuara.

Qendërsulmuesi i Napoli-t pritet të jetë jashtë fushave për më shumë se një muaj, ku do të humbasë ndeshje të rëndësishme për skuadrën e tij.

Ai nuk do të luajë përballjet me Spartakun e Moskës dhe Leicester-in në Ligën e Evropës, si dhe takimet në Serie A, kundër skuadrave: Lazio, Sassuolo, Atalanta, Empoli, Milan dhe Spezia.

Pra, nigeriani do të jetë një mungesë e madhe në formacionin e trajnerit Luciano Spalletti, duke pasur parasysh që ai është ndër meritorët kryesorë që Napoli gjendet në krye të tabelës në Serie A.

Gjatë 11 paraqitjeve në këtë sezon, Osimhen ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar dy asistime në elitën e futbollit italian, derisa ai ka kontribuar edhe me katër gola në Ligën e Evropës.

Kujtojmë që Napoli e transferoi atë për shumën e 72 milionë eurove nga skuadra franceze Lille, gjatë verës së vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore