Shqipëria

Myslimanët kremtojnë Fitër Bajramin


Pas 30 ditësh agjërim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit.

Sipas besimit mysliman, kjo ditë, është ajo në të cilën Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Ky shpërblim, vjen në formën e paqes shpirtërore dhe faljes së mëkateve.

Për Albanian Post, imami i xhamisë së Novosejës, Xhevahir Lika, shpjegon më me detaje simbolikën pas këtij kremtimi.

“Fitër Bajrami është festa e afrimit te zemrave”, thekson ai. “Kjo festë kremtohet nga të gjithë̈ besimtarët, sidomos prej atyre që kanë dhënë̈ kontributin shpirtëror dhe fizik gjatë Ramazanit.

Sipas imamit, festa në Islam është një ditë ku shfaqet gëzimi e hareja. Kjo, duke u plotësuar me adhurimin dhe falënderimin ndaj Allahut.

“Bajrami është dita e shpresës, gëzimit dhe të shprehurit e dashurisë ndaj të tjerëve. Dita që duhet t’i japim fund xhelozisë, mërisë, hatërmbetjes dhe smirës ndaj të tjerëve. Dita e forcimit të vëllazërisë dhe miqësisë me njerëzit”.

Ndihma ndaj nevojtarëve, nuk duhet të mungojë në këtë ditë të veçantë sipas imamit. Kjo, pasi festa simbolizon bashkimin dhe shtrirjen e dorës ndaj të tjerëve.

Një apel nga ai, shkon për ta bërë këtë ditë, një tingëlluese më të madhe të lutjeve për familjarët dhe të dashurit. “Për shkak të dashurisë, shpirti vihet në lëvizje”, cilëson Lika.

Dashuri, që duhet të reflektohet edhe përmes sakrificës një mujore të Ramazanit.

“Sakrifica, është dashuria jonë ndaj krijuesit”, vlerëson ai. “Rrjedhimisht, edhe ndaj njëri-tjetrit, sepse sakrifica sjell edhe dashurinë”.

Falja e madhe e Fitër Bajramit në kryeqytet, do të mbahet në orën 06:10, të enjten e 13 majit. Në gjithë Shqipërinë, pritet të ketë organizime të tilla në objektet e kultit. Kjo, duke respektuar masat e paracaktuara protokollare, kundër Covid-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore