Sport

Mourinho frymëzoi ekipin U19 të Romës për ta përmbysur rezultatin


Trajneri i Romës, Jose Mourinho, po shijonte një ditë pushimi të dielën e kaluar, por thuhet se frymëzoi fitoren e Romës U19 kundër Fiorentina-s me një fjalim në dhomën e zhveshjes pas pjesës së parë.

“The Special One” u pa në “Stadio Tre Fontane” të dielën, ku ai ndoqi të rinjtë e Romës që po përballeshin me Fiorentina-n në një ndeshje të ligës Primavera së bashku me ndihmësin e tij Nuno Santos.

Trajneri i Romës U19, Federico Guidi, ishte i suspenduar për këtë ndeshje, kështu që, sipas “Il Corriere dello Sport”, Mourinho e frymëzoi ekipin pas pjesës së parë, kur ata ishin duke u mposhtur me rezultat 1:0.

Mourinho hyri në dhomën e zhveshjes gjatë pushimit dhe mbajti një fjalim për të motivuar skuadrën.

“Do të doja të shihja më shumë intensitet dhe ritëm, duhet të jeni më agresiv sepse mbrojtja e Fiorentina-s është më e dobët dhe mund t’i mposhtni”, u kishte thënë Mourinho djelmoshave të Romës.

“Mendoj se pjesa e dytë do të jetë ndryshe, besoj te fitorja”, thuhet se i ka thënë trajneri portugez lojtarëve të rinj të Romës.

Fjalimi i Mourinho-s me sa duket frymëzoi lojtarët e Romës të cilët në fund siguruan fitore me rezultat 2:1 duke e përmbysur ndeshjen.

Kujtojmë që trajneri portugez ka ndjekur shumë ndeshje të skuadrës U19 të Romës këtë sezon, duke promovuar disa lojtarë të rinj për seanca stërvitore me ekipin e të rriturve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore