Film

Mjeshtri dhe Margarita


Më ndiq, o lexuesi im! Kush të ka thënë se në këtë botë nuk ka dashuri të vërtetë e të përjetshme? Gjuha e ligë e gënjeshtarit u prehtë në këtë çast”, Mikhail Bulgakov, Mjeshtri dhe Margarita.

Mjeshtri dhe Margarita është një prej alegorive më të komplikuara, por edhe më të bukura të prodhuara në letërsinë ruse të shekullit të kaluar nga Mikhail Bulgakov-i. Një novelë brenda novelës, e shtresëzuar në dy periudha analoge, të cilat autori i gërsheton për të ndërtuar tregimin e tij simetrik mes kryqëzimit të Krishtit, dhe kryqëzimit të popullit Rus, thënë krahasimisht.

Pyetjet që ndërtojnë shtratin e rrjedhës së kësaj vepre janë të një shoqërie të kapur kokë e këmbë në totalitarizëm, ateizëm, që pamjen e saj e reflekton nga një pasqyrë e thyer që shtrembëron natyrën njerëzore.

Profesori Woland, magjistari që vjen në Moskë, bashkë me grupin e tij të çuditshme, dhe trazon shpirtrat e mendjet moskovite, është Satani. Wolandi dhe grupi i tij janë një ndërtim surrealist i bandës bolshevike të Leninit dhe mënyrave të tyre të errëta për ta vjedhur pushtetin.

Wolandi terrorizon komunitetin intelektual rus në fillim të novelës e deri në fund, njëjtë sikurse kishte bërë Stalini, dhe gati se në mënyrë të njëjtë. Autori luan me figurën e Satanit për të shpalosur dhe lënë në dritë të zhveshur hipokrizinë shoqërore të sistemit komunist por edhe të njerëzve individualë, e sidomos atë të elitave që i vihen në shërbim këtij morali shoqëror. Satira është omniprezente në secilin rresht e fjalë.

Behemothi, maca që gëlltitë vodkë tërë kohën është gjithashtu një imazh puro rus i fundosjes në alkool nga rusët mesatarë për t’u ikur problemeve jetësore, dhe për të gjetur rahatinë e vetme në jetë.

Tregimi i dytë na kthen në Testamentin e Ri. Te prokurori romak Pontius Pilate-i dhe gjykimi i Jezusit të Nazaretit (në vepër me emrin hebre Yeshua Ha-Notzri).

Autori duke e pasur të pamundur të kritikonte hapur shoqërinë staliniste të kohës, vendos që përmes Jezusit të kritikoj shoqëritë bilbike, respektivisht hebraike. Përmes shkëmbimeve Pilat-Jezus autori vë në dukje ateizmin sovjetik dhe dimensionin anti-hyjnor të kohës.

Së fundmi, historia prekëse dhe tragjike e Mjeshtrit dhe Margaritës, që është urë lidhëse mes Moskës staliniste dhe Jeruzalemit romak. Mjeshtrit i shkatërrohet karriera e tij si mjeshtër i letrave, mjeshtër i letërsisë, dhe Margaritës e cila është dëshmitare e shkatërrimit të jetës së Mjeshtrit.

Margarita i shet shpirtin djallit, është në gjendje ti jep fund të gjithë jetës së saj vetëm për tu ribashkuar me të dashurin e saj, Mjeshtrin. Në kuptimin politik, është vepër që tregon përndjekjen, shtypjen, skemat manipuluese, kurse në substancën e saj morale, tregon fuqinë e dashurisë si kuptimin përfundimtar të jetës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore