Sport

Mitaj impresionon skautët e Juventusit në ndeshjen ndaj Kilit


Mario Mitaj ishte një nga lojtarët më të dalluar të Kombëtares së Shqipërisë në humbjen 0-3 ndaj Kilit të premten në mbrëmje.

Shqipëria pati paraqitjen më të dobët në epokën e Sylvinho-s në ndeshjen ndaj Kilit. Megjithatë, ajo mjaftoi që disa elementë, si Mitaj, të dallonin qartë nga të tjerët.

Mitaj, edhe pse nuk ishte në ditën e tij më të mirë, arriti të binte në sy të skautëve të Juventus-it që kishin ardhur posaçërisht për ta vëzhguar, raporton gazeta torineze “Tuttosport”.

“Objektivi i vëzhguesve të pranishëm në tribuna, në radhë të parë ishte Mario Mitaj i cili për 90 minuta ishte në korsinë e majtë, duke konfirmuar se është një perspektivë shumë interesante”, thotë gazeta pranë Juventus-it “Tuttosport”.

“(Cristiano) Giuntoli ka monitoruar klasën e 2003 për disa kohë, dhe për këtë arsye tashmë e njeh mirë, por tani mbrojtësi i krahut mund të bëhet vërtet një objektiv konkret”.

“Nga ana tjetër, djali i lindur në Greqi nuk është vetëm i ri dhe i talentuar. Por ai respekton edhe parametrat ekonomikë që Continassa duhet të shikojë. Mitaj në fakt luan për Lokomotiv Moskën, çmimi i tij është ende i ulët dhe ai mburret me një pagë që bie në kufijtë e Bardhezinjëve”, vijon raporti i gazetës së sipërpërmendur.

Juventus-i do të ndajë rrugët në verë me mbrojtësin brazilian, Alex Sandro dhe thuhet se edhe Filip Kostic do të largohet gjithashtu. Ndaj, bardhezinjtë synojnë afrime në atë krahë.

“Tuttosport” raportoi më herët se Giuntoli “po përgatitet për një nënshkrim si Kvaratskhelia për Juventus-in, në lidhje me mbrojtësin e majtë 20-vjeçar të Lokomotiv Moskës, Mario Mitaj”.

Së fundmi, mbi një kalim të mundshëm të Mitajt te Juventus-i ka folur edhe ish-trajneri i Shqipërisë, italiani Edy Reja.

“Ah, Mitaj! A e ndjek vërtet Juve? Jam i kënaqur. Ai është një djalë që punon shumë dhe dëshiron të mësojë, ai mund të rritet shumë në Torino”, u shpreh fillimisht Reja, i cili e ka përdorur mbrojtësin e ri vetëm në një ndeshje gjatë periudhës së tij te Shqipëria (ndaj San Marionos në duelin e fituar 2-0 në vitin 2021).

Mitaj, ishte një nga zbulimet e trajnerit aktual kuqezi, Sylvinho, gjatë fushatës kualifikuese për në Euro 2024 dhe Reja nuk e fsheh përshtypjen e mirë që i ka lënë lojtari i Lokomotivës së Moskës.

“Më ka mahnitur prekja e pastër dhe inteligjenca në leximet e tij. Këmbë majtë, perfekt në një mbrojtje me katër lojtarë, me mesfushë dhe sulm me tre lojtarë. Ai e zë pozicionin mirë, i kupton situatat”, shpjegon Reja për “Tuttosport”.

“Ai është një djalë me cilësi të mëdha morale. Jashtë fushës, madje mund ta përkufizoni atë si të turpshëm”.

“Megjithatë, në fushë ai tregon një personalitet të madh, sigurisht më të lartë se çfarë do të prisnit për dikë të moshës së tij. Ai nuk ka frikë të marrë përgjegjësi. Dhe Juve mund të ketë referenca të drejtpërdrejta nga një nga ish-lojtarët e tyre të rëndësishëm pasi Massimo Carrera e ka trajnuar atë te AEK”, vijoi Reja.

Përsa i përketë anëve negative të Mitajt, ish-trajneri i Napoli-t dhe disa klubeve të tjera në Serie A, theksoi se “Më shumë se një defekt, është një karakteristikë, ai nuk ka fizikun shpërthyes të mbrojtësve të majtë që bënë historinë e Juventus-it, nga Cabrini te Zambrotta. Kjo është arsyeja pse ai është i përsosur në 4-3-3, ku mendoni të mbani pozicionin tuaj dhe të bëni lexime parandaluese”.

Mitaj u bë pjesë e Lokomotivës në gushtin e 2022 pasi mbërriti nga AEK-u i Athinës. Rusët paguan 3 milionë euro për kartonin e tij. Me paraqitjet fantastike në kualifikueset e Euro 2024, vlera e kartonit të mbrojtësit tashmë mund të shkojë deri në 10 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore