Lajme

Misioni Rifat, dështoi me sukses


Foto-ilustrim nga Albanian Post - Premtimi ne raport me realitetin

Më 16 nëntor 2021, kryeministri Albin Kurti kishte dalë vetë i dyti në konferencë për media. Në krahun e majtë të tij ishte një burrë, përgjithësisht i panjohur për gazetarët e pranishëm.

Sapo mori fjalën, kryeministri sqaroi se zotërinë, që gazetarët kishin përballë, e kishte emëruar ministër të Shëndetësisë. Vendimin e kishte nënshkruar pak para se të dilnin në konferencë.

Për disa minuta ai ravijëzoi rrugëtimin akademik të njeriut të cilit ia kishte besuar shëndetësinë kosovare. Por, për 41 minuta, sa zgjati konferenca, foli për pothuaj gjithçka tjetër, përveç problemeve të shëndetsisë dhe planeve eventuale për t’i zgjidhur ato.

Ministri i sapoemëruar, ndërkaq, në fokus kishte “mbajtjen dhe kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm fakti se unë kam ardhur këtu, prej një rehatie amerikane, prej një pune shumë të mirë, është sinjal i fuqishëm besoj, që edhe të tjerët të na bashkohen në këtë kthim në Kosovë”, kishte thënë Latifi, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares së Euronews Serbia, nëse ai si ministër i sapoemëruar kishte ndonjë strategji për ta parandaluar ikjen e doktorëve nga Kosova.

That didn’t age well’, thonë në truallin prej nga erdhi ministri Latifi, kur realiteti i të sotmes është krejt i ndryshëm nga ajo që është thënë dje. Kjo shprehje e përmbledh në tërësi shpërputhjen e madhe midis deklaratës së ministrit dhe të vërtetës. Një ditë pa u bërë 100 ditë nga ajo konferencë, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu njoftoi se vetëm gjatë dy muajve të parë të 2022-ës nga Kosova janë larguar 41 mjekë: një specialist, 19 specializantë dhe 21 mjekë të përgjithshëm.

“Vitin e kaluar kanë qenë rreth 210 mjekë që kanë ikur nga Kosova”, nënvizoi Sejdiu, pa e përkthyer në një shifër tjetër shqetësuese: 4% e mjekëve e kanë lënë Kosovën brenda vetëm një viti. Por, paralajmërimi i tij ishte akoma më alarmues. “Nëse nuk merren masa do të rritet ikja dhe këtë vit 300 mjekë do të largohen”. Pra, edhe mbi 5% e mjekëve do të largohen sivjet, sipas doktor Sejdiut, i cili thekson se 108 mjekë veçse janë larguar në gjashtë muajt e parë të 2022-ës.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën. Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Ministri Latifi, në konferencën e tij të parë, pas emërimit si njeriu përgjegjës për shëndetësinë kosovare, kishte deklaruar se akoma ishte duke e konceptuar dhe në atë moment nuk kishte strategji se si do ta zgjidhte këtë problem, me të cilin përballet shoqëria kosovare.

Që atëherë kanë kaluar 237 ditë dhe strategjinë – nëse ka një të tillë – nuk e ka zbuluar akoma. Ndërsa, realiteti në terren, karshi deklarimit të 16 nëntorit të vitit të shkuar mund të përshkruhet me togfjalëshin: mission failed succesfully. (sq. Misioni/detyra dështoi me sukses)

Ikja e mjekëve është një prej shqetësimeve, të mëdha, qytetare të këtij viti, veçanërisht. Shqetësim i ministrit Latifi është mosikja e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

Ka dy muaj që ministri Latifi ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’ia mundësojë ta shkarkojë sekretarin Bardiqi, mëson Albanian Post nga burime të mirinformuara brenda MSh-së. Ministri dhe Sekretari nuk takohen dhe nuk kanë kurrfarë komunikimi, të paktën që nga muaji mars i këtij viti. Mirëpo, megjithëse ka kërkuar me insistim, ministri Latifi nuk ka arritur ta bindë kryeministrin Kurti që të mos e pengojë në shkarkimin e Bardiqit.

Naim Bardiqi është emëruar në pozitën që mban më 2018, nga ish-ministri Uran Ismaili. Mandati i tij qe nalur në gjysmë nga ish-ministri pasardhës, Armend Zemaj, i cili më 2020 e kishte pezulluar Bardiqin, që ishte kthyer pas një viti në punë nga Qeveria Kurti II.

Ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte shfuqizuar vendimin e Zemajt, sipas të cilit Ardian Mehmetaj emërohej u.d. i sekretarit të MSh-së dhe kështu e ktheu Bardiqin në atë pozitë.

Pra, Bardiqi është kthyer në atë pozitë nga ish-ministri Arben Vitia. Nga Ministria e Shëndetësisë, përmes zëdhënësit Faik Hoti, kanë mohuar të ketë përplasje midis ministrit dhe sekretarit. Mirëpo, nuk ka dhënë asnjë sqarim pse ministri Latifi ka kërkuar shkarkimin e sekretarit Bradiqi. Një zhvillim i tillë as nuk është pohuar dhe as mohuar në përgjigjen me shkrim që ka marrë Albanian Post.

Përveç ndërrimit të sekretarit të MSh-së, ministri Rifat Latifi ka provuar që edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të bëjë lëvizje. Përveç drejtorit, Valbon Krasniqi, siç ka marrë vesh Albanian Post nga burime brenda MSh-së, Latifi ka synuar që ta ndërrojë edhe bordin, i cili është emëruar më 28 mars 2022, pra gjatë Qeverisë Kurti I.

Kryesuese e Bordit të ShSKUK-së është Dr. Agreta Gecaj – Gashi. Doktoresha Gashi është bërë veçanërisht e njohur për publikun, pas raportimit të mediave, të cilat patën nxjerrë dokumentin që tregonte se nga pozita e kryesueses së Bordit të ShSKUK-së, ka emëruar veten – në konflikt të pastër interesi –  si anëtare e Komisionit Përzgjedhës për Drejtorët e gjashtë Klinikave të ShSKUK-së.

Nga burime brenda MSh-së, Albanian Post ka mësuar se ministrit Latifi nga zyra e kryeministrit i është thënë që të mos merret me Bordin e ShSKUK-së dhe madje as me drejtorin e këtij institucioni. Për t’ia bërë të qartë seriozitetin e këtij qëndrimi, kjo temë ka dalë edhe si pikë diskutimi në ekzekutiv.

Por, çfarë po ndodh në ShSKUK?

Gjatë vitit 2021 në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës janë realizuar 20 mijë operacione më pak, krahasuar me vitin paraprak. Për këtë arsye, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, para katër muajsh, deputetë të opozitës bashkë edhe me kolegë nga pozita, kanë kërkuar që të merren masa ndaj Bordit të ShSKUK-së. Opozita ka insistuar që bordi të shkarkohet, për shkak se ato 20 mijë operacione që nuk janë kryer në sektorin publik, duhet të të jenë kryer në sektorin privat dhe sipas deputetit Bekim Haxhiu “dikush ka përfituar, prandaj ka përpjekje me i ikë llogaridhënies”.

Problemet në ShSKUK janë akoma më të thella. Albanian Post ka arritur të mësojë, nga burime brenda MSh-së dhe ShSKUK-së, se shumica e klinikave përballen me probleme funksionale. Klinikat e Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive kanë telashe me stafin profesional dhe materialin e nevojshëm operativ. Për rrjedhojë, mbi 30% e pacientëve orientohen drejt sektorit privat.

Klinika e Gjinekologjisë ofron vetëm shërbimet bazike, pa laparaskopi, pa shërbime të nivelit terciar dhe pa mundësi të realizimit të operacioneve të ftohta, në mungesë të anesteziologëve.

Problemet janë bërë aq të shpeshta dhe banale, sa për një kohë klinika është rrezikuar nga frigoriferët e mbushur me placenta, të cilëve, nga mbingarkesa, nuk u janë mbyllur dyert dhe për rrjedhojë kanë nisur të shkrijnë. Shtretërit me defekte, të cilët janë pothuaj të papërdorshëm dhe në numër jo të vogël, janë pjesë e problemeve themelore me të cilat përballet kjo klinikë. Në klinikat e Kirurgjisë Abdominale, Vaskulare, Plastike, Ortopedike dhe Oftamologjike, sikurse edhe në Klinikën Radiologjike – për CT dhe sMRI, listat e pritjes janë shumë të gjata, me muaj deri në një vit.

Për listat e gjata të pritjes në të gjitha klinikat e ShSKUK-së është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. Mirëpo, në atë kohë kur deputetët opozitarë kërkonin që të ndërmerren masa, listat e pritjes për procedura diagnostike shkonin deri në tetë muaj. Tani kohëzgjatja e pritjes është rritur për 50 përqind.

Përveç ShSKUK-së, minsitri Latifi ka dështuar të menaxhojë edhe me procese tjera, si Fondi për Sigurime Shëndetësore, bordi i të cilit ka qenë jofunksional për më shumë se një vit dhe është emëruar vetëm në javën e parë të muajit korrik të këtij viti. Në krye të këtij bordi është vënë zëvendësministrja Dafina Gexha-Bunjaku.

Megjithëse funksional vetëm pjesërisht, fondi ka mbi 40 të punësuar, të cilët i kryejnë punët që i kanë kryer më parë dy zyrtarë të MSh-së. Puna ka ngecur, po ashtu, në ndryshimin e ligjeve që e rregullojnë këtë organizëm dhe vet shëndetësinë në përgjithësi.

Për t’u kthyer edhe njëherë tek konferenca e parë, në të cilën Rifat Latifi ishte prezantuar si ministër i Shëndetësisë dhe në të cilën kishte premtuar “ngritjen e standardeve mjekësore” si dhe “kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova” me qëllim që “të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe kështu këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona”, mund të thuhet, pa frikë, se Rifat Latifi jo vetëm që nuk ka arritur as në stacionin e parë, por nuk është duke vendnumëruar në rrugën e gabuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore