Lajme

Ministri serb thotë se 12 shtete do ta çnjohin Kosovën – çfarë dinë në Qeverinë e Kosovës për këtë fushatë të Serbisë?


Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, përmes një përgjigje për Albanian Post, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka pranuar se shteti serb është duke lobuar në vazhdimësi karshi subjektivitetit të Kosovës.

Për vetë faktin se MPJD nuk e ka mohuar një gjë të tillë, le të nënkuptohet se deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviç se “një duzinë vendesh janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës”, nuk është krejt pa bazë.

“Për fat të keq, Serbia asnjëherë nuk i ka ndalur sulmet ndaj Kosovës dhe në vazhdimësi ka punuar në drejtim të dobësimit të pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Divizonit për Komunikim Publik në MPJD për AP.

Sipas ministrisë, Serbia nuk i është përmbajtur as marrëveshjeve ndërkombëtare dhe publikisht zyrtarët e këtij shteti kanë bërë thirrje për çnjohje të Kosovës.

Megjithatë bazuar në përgjigjen e MPJD-së, Qeveria e Kosovës në vijimësi punon për të parandaluar këtë fenomen.

“Qeveria çdo ditë po punon me shumë seriozitet për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës në bashkëpunim me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë”, përfundon përgjigja e Ministrisë.

Një ditë më parë Ministri i Punëve të Jashtme e Serbisë, Nikolla Selakoviç, në një intervistë në gazetën serbe “Vecerni Novosti” ka thënë se 12 shtete pritet të tërheqin njohjen e Kosovës.

“Një duzinë vendesh janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës, për ne, viti në të cilin Serbia, si një vend i vogël, por krenar, e vendosur të ruante me xhelozi pavarësinë e saj politike dhe neutralitetin ushtarak, u detyrua të luftonte për interesat e saj në një mjedis politik kompleks dhe të ngarkuar me probleme”, tha Selakoviç në një intervistë të botuar në edicionin e së mërkurës.

Ministri i Punëve të Jashtme e Serbisë, Nikolla Selakoviç

Me Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit 2020, Kosova mori përsipër të pezullojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për 12 muaj dhe Serbia pranoi të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës në të njëjtën periudhë.

Megjithatë me 4 shtator të këtij viti moratoriumi në fjalë përfundoi.

Edhe pse në vigjilje të tij mediat serbe kishin raportuar se në shtator mbi 10 shtete do të çnjohin Kosovën, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Deri me tash, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shteti i Kosovës është i njohur nga 117 shtete.

Njohja e fundit ka ardhur nga shteti i Izraelit me 1 shkurt të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore