Lajme

“Milan Radoiçiç për Qeverinë e Kosovës është ‘gjembi në këmbë’”


Goran Rakiç dhe Milan Radoiçiç

Për Goran Rakiç, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete dhe Kthim, Milan Radoiçiç, është “gjembi në këmbë” për Qeverinë e Kosovës.

Rakiç në shpjegimin e tij të situatës thekson se Milan Radoiçiç, i sanksionuari nga Thesari Amerikan i shtetit, është autoriteti më i madh në mesin e serbëve të Kosovës, dhe mu për këtë institucionet e Kosovës me ngulm kërkojnë eliminimin e tij nga jeta publike.

“Radoiçiç, ka autoritetin më të madh të padiskutueshëm për serbët në Veri po ashtu edhe në Jug të lumit Ibër, ky është rezultat i punës së tij serioze në politik dhe ata që janë kundër interesave të popullit serb besojnë se eliminimi i tij do ta shkatërronte unitetin në mes të serbëve”, ka thënë Rakiç.

Sipas tij situata në Veri është aktualisht e qetë, por deklarata e Albin Kurtit për luftë është nxitësja më e madhe për tensionimin e situatës ditëve të ardhshme.

“Duke ngritur tensionet, Qeveria e Kosovës po largon vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale, po rrezikon stabilitetin dhe po nxit tensione. Mundësia për luftë përmendet nga ata që bënë gjithçka për ta përkeqësuar situatën”, pretendon ai.

Rakiç më tej ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se sipas tij deklarata e top-diplomatit amerikan, Gabriel Escobar, se krijimi i Asociacionit nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, është një përpjekje për të pakësuar rendësin e tij.

Ai nuk e ka lënë anash mundësinë për ta formuar vetë Asociacionin, duke respektuar, siç pretendon ai, marrëveshjen ndërkombëtare që parasheh formimin e tij.

“Formimi i Asociacionit është obligim ndërkombëtar i Prishtinës, për të cilin u angazhuan përfaqësuesit e Prishtinës dhe jo vetëm ata, por edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Ajo që po dëgjohet tani nga disa përfaqësues ndërkombëtarë është një përpjekje për të pakësuar rëndësinë e Asociacionit, pavarësisht marrëveshjes që tashmë është arritur. Populli serb nuk do të pajtohet me këtë, ashtu siç nuk do të pajtohet me një vonesë të pafund”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore