Kosova

Miftaraj kërkon që dorëheqjet të pasojnë pas vrasjeve në institucione


Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, pas vrasjes së një gruaje në Qendrën për Punë Sociale, ka kërkuar që dorëheqjet duhet të pasojnë.

“Edhe një grua vritet ne mes te ditës ne institucion shtetëror”.

“Në një shtet normal dorëheqjet si akt moral do të pasonin sot. Jo arsyetime koti, jo sqarime, por dorëheqje”, ka shkruar Miftaraj në rrjetin social ‘Facebook’. 

Që nga janari i 2023-së, Ministria e Drejtësisë, kishte marr përgjegjësinë për Qendrat për Punë Sociale, të cilat kishin qenë nën ombrellën e komunave dhe të Ministrisë së Financave.

25 persona ishin angazhuar nga Ministria e Drejtësisë, për të bërë analizimin e gjendjes së Qendrave për Punë Sociale.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se janë në komunikim me institucionet përgjegjëse që të kuptojnë të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin veprime sipas kompetencës.

“Në këto momente të vështira jemi me familjen dhe të afërmit e të ndjerës dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, ka shkruar Haxhiu.

Drejtësi pa u vonuar ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia”.

“Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje”, ka shkruar ai.

Çka ndodhi?

Të premten e 12 prillit nga Policia e Kosovës, u konfirmua për vrasjen e një gruaje në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale dhe një person tjetër ka mbetur i lënduar.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë”.

Më pas nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u bë e ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi ish-bashkëshorti është arrestuar”, ka thënë kryeprokurori Shukri Jashari në një deklaratë për media.

Ndërsa përmes një komunikate për media nga Prokuroria është thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Vrasje”.

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore