Lajme

Ish bashkëshorti dyshohet se vrau gruan në Ferizaj


Ilustrim.

Gruaja që mbeti e vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, dyshohet se është vrarë nga ish bashkëshorti i saj i cili tashmë është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin e kanë bërë të ditur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndërsa personi i plagosur dyshohet se është vëllau i viktimës.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi ish-bashkëshorti është arrestuar”, ka thënë kryeprokurori Shukri Jashari në një deklaratë për media.

Lajmin për vrasjen e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë”, ka thënë Veseli për Albanian Post.

Ndërsa përmes një komunikate për media nga Prokuroria është thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Vrasje”.

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur.

Më 29 nëntor kishte ndodhur edhe vrasje e një gruaje në Prishtinë – Liridona Ademaj, për të cilën i dyshuari kryesor për planifikimin e vrasjes së saj ishte bashkëshorti i saj Naim Murseli dhe dorasi Granit Plava.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

Vritet një grua në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, plagoset një burrë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore