Aplikacione

Microsoft-i dëshiron ta bëjë votimin më të besueshëm


Kompania teknologjike, Microsoft, në fund të muajit shkurt të vitit të kaluar, kreu provën e parë zyrtare të software-it të saj të sigurisë së votimit të quajtur ElectionGuard në një zgjedhje në Fulton, Wisconsin, për bordin e shkollës lokale dhe një vend të gjykatës supreme të shtetit.

Agjencia e lajmeve, CNN, tregon se ky software u zhvillua si pjesë e projektit “Mbrojtja e Demokracisë” dhe është krijuar për të ndihmuar në procesin e zgjedhjeve për t’i bërë më të sigurta dhe të besueshme.

Mirëpo, mosbesimi dhe mosmarrëveshja e përhapur përreth zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 ka ndihmuar në krijimin e çështjes për këtë lloj teknologjie.

“Nuk mendoj se ka pasur një kohë më të rëndësishme në histori për shitësit që të përpiqen të ndërtojnë këtë teknologji në sistemet e tyre për shkak të aftësisë së saj për të krijuar besim në procesin zgjedhor”, është shprehur Tom Burt, nënkryetari i Microsoft-it për sigurinë dhe besimin e klientit.

Lidhur me zbatimin e parë të tillë të ElectionGuard është realizuar me një shitës të madh të teknologjisë amerikane të votimit, Hart InterCivic, i cili është një nga tre shitësit kryesorë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai siguron sistemin e tij të votimit për zyrtarët e zgjedhjeve në më shumë se 500 juridiksione në 17 shtete.

Në bazë të marrëveshjes së dy kompanive, Hart-i do të kthehet në shitësin e parë të madh të teknologjisë zgjedhore për t’u ofruar votuesve verifikimin se fletët e tyre të votimit janë numëruar si duhet.

Ndërkohë, Hart-i ka nisur diskutimet me zyrtarët e zgjedhjeve rreth testimit të software-it ElectionGuard në zgjedhjet e ardhshme. Dhe Microsoft-i shpreson që teknologjia do të miratohet gjerësisht për të arritur zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Ne besojmë se duhet vazhdimisht të imagjinojmë sesi teknologjia mund ta bëjë votimin më të sigurt dhe gjithashtu më transparent, dhe ky partneritet me Microsoft-in është një hap i fortë në atë drejtim”, ka thënë Julie Mathis, shefe ekzekutive e Hart InterCivic.

Për sa i përket procesit të votimit, votuesit në vendet e caktuara të votimit do të plotësojnë ose një fletë votimi ose do të zgjedhin zgjedhjet e tyre në një makineri dhe do t’i shtypin ato. Mëpas, do ta vendosin fletën e tyre të votimit në një skaner Hart.

Skaneri do të pajiset tanimë me software-in ElectionGuard, i cili do të kriptojë fletët e votimit sa më shpejt që të skanohen. Në mënyrë individuale, software-i do të sigurojë secilën votë përmes një procesi të quajtur “kriptim homomorfik”.

Në vijim, kriptimi mundëson vlerësimin e votave dhe dekriptimin e rezultateve pa qenë e nevojshme të deshifrojë votat individuale. Dhe përfitimi kryesor nga ky sistem është zvogëlimi i mundësisë së manipulimit të votave.

Për të përcaktuar pas sondazheve nëse është ndërhyrë te votat, zyrtarët e zgjedhjeve mund të drejtojnë një aplikacion verifikues që përdor një ekuacion matematikor.

CNN shpjegon se për shkak të procesit të kriptimit, nëse nuk do të manipulohen votat ekuacioni do të prodhojë një rezultat të pritur. Nëse përgjigjja është e ndryshme do të thotë se zyrtarët e zgjedhjeve duhet të kontrollojnë dy herë rezultatet e zgjedhjeve duke përdorur fletëvotimet rezervë.

ElectionGuard-i është ndërtuar mbi supozimin se është e pamundur të shmanget me siguri 100 për qind një aktor i keq që komprometon një sistem votimi. Rrjedhimisht, software-i siguron që nëse ka një sulm, zyrtarët e zgjedhjeve do ta dinë menjëherë dhe do të kenë mundësi alternative për numërimin e votave, duke hequr stimujt për ndërhyrje në zgjedhje.

Për zyrtarët e zgjedhjeve, parandalimi i një ndërhyrjeje të tillë është një shqetësim kryesor. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, qeveria e SHBA-së zbuloi se kundërshtarët përfshirë Iranin dhe Rusinë u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje me synimin për të minuar besimin e votuesve në procesin demokratik.

Software-i ka edhe një karakteristikë tjetër kryesore. Ka të bëjë me aftësinë që votuesit individualë të konfirmojnë se vota e tyre është numëruar me saktësi.

Procesi nuk mbaron me kaq. Pasi të votojë, votuesi do të pajiset me një kod që mund ta përdorë për të kontrolluar fletën e votimit të nesërmen. Kjo brenda të njëjtit aplikacion.

“Për ata që nuk kanë besim, duke u dhënë atyre aftësinë për të konfirmuar se vota e tyre është numëruar, kjo është ajo ku unë shoh një transformim të madh të mundshëm në besim”, ka shtuar Burt.

Mbi të gjitha, ElectionGuard-i është një software pa pagesë, me burim të hapur, të cilin Microsoft-i e zhvilloi si një iniciativë jofitimprurëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore