Lajme

Mes përplasjeve pozitë-opozitë, nuk kalon Ligji për Zgjedhjet në procedurë të përshpejtuar


Kuvendi i Kosovës thirri një seancë për në ora 17:00 lidhur me procedimin e projekt ligjit për zgjedhjet, e cila u shty disa herë, por pas përplasjeve mes pozitës dhe opozitës në komisionin parlamentar dhe në konferenca për media, seanca përfundimisht ka filluar në ora 21:30.

Gjithsesi, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet nuk ka kaluar në procedurë të përshpejtuar për të shmangur afatet procedurale, pasi që mori vetëm 65 vota për dhe 39 kundër.

Dihet se për shqyrtimin e ndryshimeve të këtij ligji në procedurë të përshpejtuar nevojiteshin së paku 2/3 e votave të deputetëve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një postim në rrjetin social Facebook në orët e vona ka reagur lidhur me kundërshtimin që partitë opozitare dhe shoqëria civile e ka bërë kundrejt Qeverisë dhe Kryesisë së Kuvendit, pasi kjo e fundit dergoi në Qeveri për rishqyrtim “Projektligjin për zgjedhjet në Kosovë”.

Konjufca ndër të tjera është shprehur i befasur lidhur me kundërshtimet që janë bërë.

“Askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës sonë të shkojë në këtë nivel që po e shohim. Së paku në këtë çështje kam pritur konsensus të natyrshëm të partive tjera me VV-në. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve të kahmotshme të secilit: që mërgimtarët tanë të votojnë nëpër ambasadat e konsullatat e shtetit tonë”, shkroi Konjufca.

Më tej ai ka shprehur habinë se si po quhet “kapje e shtetit” një ndryshim i tillë i Ligjit për Zgjedhje, pasi që sipas tij amandamentimi i këtij ligji i mundëson diasporës kosovare të drejtën e mohuar padrejtësisht.

Tutje Konjufca konsideron se kjo nismë e LVV-së nuk është ngutshme, sepse si iniciativë është ngritur qysh në vitin 2014.

“Prej asaj kohe është ngritur e ringritur disa herë. Asnjëherë nuk ka kaluar. Tash mund të kalojë meqë qytetarët kanë votuar për ndryshim” tha Konjufca.

Ai gjithashtu në postimin e tij thotë se nuk ka asgjë të përbashkët kjo nismë me zgjedhjen e Presidentit. Më tej ai shton Kosova mund të shkojë në zgjedhje, nëse deputetët opozitarë nuk qëndrojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes, duke i bërë përgjegjës ata e jo partitë në pushtet të cilat edhe e kanë barrën e përgjegjësisë për formimin e institucioneve.

“Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opcione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundërkandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit” shkruan Konjufca.

Mirëpo, shpejtësia e trajtimit të amandementimit të këtij projektligji që i mundëson diasporës të votoj nëpër Ambasadat e Kosovës dhe në Konsulatat e saj, është parë nga partitë politike opozitare dhe nga shoqëria civile si një ndërhyrje flagrante në sistemin zgjedhor, sepse nuk rregullohet çështja sa i përket zgjedhjeve lokale, por edhe ngutia për kalimin e këtij projektligji po shihet si pamundësi për zgjedhjen e Presidentit nga pozita dhe si një parapërgatitje për dërgim në zgjedhje të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar menjëherë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka bërë thirrje Kryeministrit Kurti që të heq dorë nga shantazhi i sotëm në raport me opozitën.

“Kërkojmë që ky ligj të tërhiqet, Nëse nuk tërhiqet ky ligj, atëherë kryeministri Kurti na dërgon në zgjedhje”, u shpreh Lumir Abdixhiku në konferencë për media.

Tutje Abdixhiku ka bërë me dije se LDK gjithnjë është e interesuar të bëhen reformat zgjedhore duke i mbështetur ato, mirëpo reforma duhet të jetë më e thellë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore