Sport

Merkato nga Superliga/ Vllaznia, Tirana dhe Bylisi me sulmues të rinj


Shkodranët e Vllaznisë kanë bërë një tjetër afrim në ekip. Sulmuesi 19-vjeçar Angjelo Radovani është afruar në ekip, pas eksperiencës së shkurtër me Bylisin.

Radovani është një nga talentet e shumta shkodrane që luajnë në Superligë. Mësohet se ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare me klubin. Fillimisht sulmuesi do të aktivizohet me U21 e Vllaznisë.

Në njoftimin e Vllaznisë në median sociale shkruhet:

“KF Vllaznia bën të ditur se ka arritur akordin me futbollistin Angjelo Radovani. Sulmuesi 19 vjeçar shkodran pas një përvojë të shkurtër në Ballsh, rikthehet për të dhënë më të mirën e tij në klubin ku u formua si futbollist.

Me Radovanin është firmosur një kontratë trevjeçare dhe fillimisht do të luajë me ekipin e 21 vjeçarëve, por duke qenë vazhdimisht në vëmendjen e stafit të ekipit të parë.

Mirë se u ktheve në shtëpi, Angjelo”.

Tirana po ashtu ka afruar një tjetër sulmues në gjirin e saj. Tim Vayrynen-i është afrimi më i ri në klub. Sulmuesi 27-vjeçar ka eksperiencë të gjatë me ekipe të ndryshme në Finland, Gjermani dhe Holandë.

Vayrynen-i ka luajtuar me ekipe me emër si Dynamo Dresden-i, Roda JC-n dhe së fundmi është aktivizuar me HJK Helsinki-n.

Me HJK Helsinki-n u aktivizua në 45 ndeshje, në të gjitha kompeticionet, ku shënoi 17 gola dhe dhuroi pesë asiste. Sulmuesi ka dhe 12 paraqitje me Kombëtaren e Finlandës.

Tirana zyrtarizoi afrimin e ri në mediat sociale, ku shkruan:

“Mirësevjen Tim Vayrynen!

KF Tirana njofton goditjen e re të transferimeve të janarit. Tim Vayrynen ka qënë një ndër emrat me të cilët klubi është futur në negociata gjatë këtyre javëve. Ai firmosi sot duke u zyrtarizuar si lojtar i KF Tirana. Sulmuesi 27-vjeçar vjen nga Finlanda dhe do të jetë pjesë e bardhebluve për 1 vit e gjysëm. Një emër i njohur për kampionatin Finlandez dhe pjesë e Kombëtares Finlandeze ku ka bërë paraqitje tejet dinjitoze. Tim lë skuadrën HJK Helsinki për t’ju bashkuar klubit më të madh Shqiptar”.

Bylisi i ka plotësuar dëshiren e vazhdueshme teknikut, Veljko Dovedan-it. Në deklaratat e shumta të trajnerit pas pothuajse çdo ndeshje në Superligë, “mungon një sulmues” ishte fraza kryesore.

Bordi i ekipit i plotesojë dëshirën teknikut serbo-boshnjakë, duke afruar në ekip, një patriot të Dovedan-it. Serbi Nemanja Kojiç-i është lojtari më i ri për ballshiotët.

Sulmuesi 30-vjeçar ka një eksperiencë të gjatë në futbollin ballkanas, por dhe në kontinentin aziatik.

Arma më e re e sulmit ballshiot ka qenë pjesë e Partizan-it të Beogradit, Napredak-ut dhe Radniçki-t në Serbi, si dhe Istanbulspor-it dhe Gaziantep-it në Turqi. Në kontinentin aziatik ka luajtur në Kazakistan me ekipin e Ordabasy-t dhe në Japoni me Tokyo Verdy-n.

Në sezonin aktual Kojiç-i është aktivizuar në 16 ndeshje në Superligën serbe me Radniçki-n e Nishit. Sulmuesi ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar dy asiste./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore