Sport

Meriton Korenica fiton çmimin “Ylli i Javës”


Meriton Korenica është zgjedhur futbollisti më i mirë i xhiros së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke e fituar çmimin “Ylli i Javës”.

Mesfushori u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes dhe vendimtar në fitoren e Ballkanit kundër Gjilanit (2:0). Ai shënoi golin e dytë për therandasit, në minutën e 88-të, duke e vulosur fatin e këtij takimi.

Korenica u shpreh i lumtur që skuadra e tij fitoi, teksa u shpreh i nderuar me çmimin ‘Ylli i Javës’.

“Jam shumë i lumtur për këtë çmim, por edhe për golin dhe fitoren e shënuar dje. Shpresoj që gjatë këtij kampionati unë ose bashkëlojtarët e mi të rikthehemi sa më shpesh këtu për ta marrë çmimin e më të mirit të javës. FC Ballkani është në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin e kampionit dhe do të luftojmë ndeshje pas ndeshjes që të shënojmë sa më shumë fitore dhe të dalim triumfues të Albi Mall Superligës”, ka thënë Korenica për FFK-në.

Pra, edhe këtë herë çmimi i më të mirit të javës në futbollin kosovar, është ndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës, së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mallin.

Vlerësimin për më të mirin e bënë komisioni i veteranëve të futbollit, i cili përbëhet nga: Selajdin Jerliu nga KFV GJilani, Bujar Asllani nga KFV Ferizaj dhe Xhevat Vallqi nga KFV Mitrovica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore