Sport

Mercedes, ‘të lodhur’ nga Valteri Bottas


Mercedes po humb besimin te Valteri Bottas, kështu mund të largohet para fundit të sezonit, raporton Daily Mail.

Shigjetat e argjendta janë në dyshim mbi të ardhmen e finlandezit, i cili që nga ardhja e tij në vitin 2017, ka nënshkruar vetëm kontrata njëvjeçare.

Por, diferenca e këtij sezoni me ato tjerat, është që Mercedes po përcjell nga afër progresin e jashtëzakonshëm të George Russell, i cili duket i gatshëm për të qenë pilot i Mercedes-it.

Me Hamilton-in, që ka shfaqur shenja që dëshiron të vazhdojë ende, lufta për ulësen e dytë mbetet mes Bottas-it dhe Russell-it.

Dyshja, që pati një duel dhe aksident në pistë në Imola, do të ketë një duel edhe jashtë pistës.

Por, Daily Mail shkruan që Mercedes ka vendosur tashmë dhe mund ta thërrasë Russellin në “skuadrën e parë” edhe këtë sezon.

Mercedes janë të pavendosur me Bottas, që nuk po shfaq performancë të mirë, kurse janë shumë të impresionuar me Russell, që garë pas gare shfaq talentin e mrekullueshëm që ka.

Kjo vjen pasi Bottas nuk arriti të fitonte në Portimao edhe pse u nis i pari, duke përfunduar i treti.

Për momentin, Bottas është në vendin e katërt në radhitje, pas Hamilton, Verstappen dhe Norris.

Russell ende nuk ka marrë pikë këtë sezon, me të parën që iu mohua pikërisht pas aksidentit me Bottas-in në Imola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore