Kosova

Mehaj: Kosova është e gatshme t’i bashkohet Kartës së Adriatikut


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në takim me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes të ShBA-së për Çështjet Ndërkombëtare, znj.Celeste Wallande.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj të martën është takuar me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Ndërkombëtare, Celeste Wallander.

Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se në këtë takim ka theksuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet Kartës së Adriatikut.

“Në takim me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes të ShBA-së për Çështjet Ndërkombëtare, znj.Celeste Wallander, diskutuam rreth gatishmërisë së Republikës së Kosovës për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë globale përmes anëtarësimit në A-5 dhe iniciativave të tjera rajonale, gjithmonë në koordinim të plotë me aleatët tanë evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në takim me Ndihmës Sekretaren e Mbrojtjes të ShBA-së për Çështjet Ndërkombëtare, znj.Celeste Wallande.

Ai tutje ka thënë se temë diskutimi kanë pasur edhe avancimin e FSK-së.

“Po ashtu diskutuam rreth avancimeve të FSK-së në implementimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, gatishmërisë për bashkëzbarkime përkrah ushtrive të shteteve partnere, ofrimin e mbështetjes për popullin ukrainas, zbatimin e planit bilateral me ShBA-të, dhe përmbushjen e qëllimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO dhe BE”.

Edhe në muajin nëntor, Mehaj kishte kërkuar që Kosova të pranohet në Kartën e Adriatikut me status të barabartë.

Mehaj kishte udhëtuar drejt Kroacisë, me ftesë të homologut të tij, Mario Banoziç, për të marrë pjesë në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes në Takimin vjetor të Kartës së Adriatikut-SHBA (A5) që këtë vit është nën Presidencën e Kroacisë.

Siç kishte thënë ai, pjesëmarrja në këtë takim është “mundësi e shkëlqyeshme” për të prezantuar fuqishëm nevojën për pranimin e Kosovës me statusin e barabartë në këtë organizatë.

Kosova është ftuar në cilësinë e shtetit vëzhgues edhe në nismën e Kartës së Adriatikut. Kjo nismë e SHBA-së fillimisht ishte menduar për të ndihmuar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, që të përgatiten për anëtarësimin në NATO, por të njëjtën ndihmë Uashingtoni më pas ia ka ofruar edhe Malit të Zi, që po ashtu është anëtarësuar në NATO.

Në Kartën e Adriatikut bëjnë pjesë edhe anëtarët e NATO-s, siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Mali i Zi.

Por, në këtë nismë të SHBA-së është anëtare edhe Bosnja e Hercegovina, ndërkaq Kosova, në cilësinë e shtetit vëzhgues, ftohet shpesh edhe në takime e ushtrime të përbashkëta. Po ashtu, kjo nismë është e hapur edhe për Serbinë, si shtet në cilësinë e vëzhguesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore