Sport

Mediumi lituanez: Kosova na u hakmor në fushë pasi nuk votuam për pranimin e saj në UEFA


Të mërkurën Kombëtarja e Kosovës shënoi fitore fantastike ndaj Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshjen miqësore, Kosova e fitoi me rezultat 4:0, në të cilën shënuan Arbër Zeneli dy herë, dhe Vedat Muriqi e Besar Halimi nga një herë.

Dardanët patën një paraqitje shumë të mirë, ku dominuan në tërësi lojën dhe thjeshtë gjithçka shkoi si më së miri.

Që djelmoshat e Kosovës vërtetë ishin të mrekullueshëm, shkruan edhe mediumet lituaneze, duke folur për humbjen e shtetit të tyre.

Madje mediumi nga Lituania,“Delfi.lt”, shkruan titullin e një artikulli “Kosova na u hakmor pasi ne nuk votuam për pranimin e tyre në UEFA”.

Kombëtarja e Kosovës më 28 mars do të hapë kampanjën kualifikuese për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku do të përballet me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Dhe nëse do të ketë paraqitje sikur ndaj Lituanisë, atëherë ndonjë rezultat pozitiv do të ishte shumë i mundur.

Dardanët bëjnë pjesë në “Grupin B”, së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, ku dy ndeshjet e para kualifikuese, do t’i zhvillojnë përballë dy skuadrave favorite të këtij grupi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore