Lajme

‘Mediazona’ bllokohet nga autoritetet për raportimin e saj mbi pushtimin e Ukrainës nga Moska


Një nga mediat e fundit të mbetura të pavarura në Rusi, “Mediazona” ka bërë me dije se ishte bllokuar nga autoritetet për raportimin e saj mbi pushtimin e Ukrainës nga Moska.

“’Roskomnadzor’ filloi të bllokojë ‘Mediazona-n’”, tha media në një deklaratë, duke iu referuar rregullatorit të komunikimeve të Rusisë.

“Kjo ka ardhur sepse ne mbulojmë me ndershmëri atë që po ndodh në Ukrainë dhe e quajmë pushtimin një pushtim dhe luftën një luftë”, theksohej në deklratë.

Deklarata shtoi se Rusia ditët e fundit ka futur “censurë ushtarake dhe pothuajse nuk ka mbetur asnjë media e pavarur në vend”.

Botuesi i gazetës, Pyotr Verzilov, tha se ata “do të vazhdojnë të punojnë gjithsesi dhe do t’ju tregojnë për luftën”.

Медиазона

Që nga sulmi në Ukrainë nga presidenti Vladimir Putin, autoritetet kanë shtuar një goditje të paprecedentë ndaj mediave tashmë të kundërshtuara.

Në fillim të kësaj jave, stacioni radiofonik “Ekho Moskvy” dhe kanali televiziv “Dozhd” – dy nga mediat kryesore liberale të Rusisë – ose u shpërndanë ose u pezulluan.

Dhjetëra punonjës të medias dhe organe të pavarura – përfshirë “Dozhd” – janë caktuar tashmë “agjentë të huaj” nga autoritetet dhe shumë reporterë dhe redaktorë janë detyruar të largohen nga vendi.

Gazeta e pavarur “Novaya Gazeta”, kryeredaktori i së cilës Dmitry Muratov u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021, tha se nuk do të mbulonte konfliktin, duke përmendur legjislacionin e ri për raportimin mbi ushtrinë.

“Mediazona” është një botim i pavarur në internet, i cili ndër temat e tjera shkruan për çështje gjyqësore dhe abuzime me të drejtat e të burgosurve.

Ajo u themelua në vitin 2014 nga anëtarët e “Pussy Riot”, Nadezhda Tolokonnikova dhe Maria Alyokhina, pasi vuajtën burgun për talljen e Putin-it në një kishë.

Sot është dita e 11 e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë pavarësisht sulmeve ruse.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 351 civilë dhe 7 mijë e 70 të lënduar në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore