Shqipëria

Mbyllet numërimi në Shkodër, PS fiton me 11.703 vota diferencë


Është mbyllur përfundimisht numërimi i votave në Bashkinë Shkodër, ku kandidati socialist Benet Beci, ka korrur një fitore historike përballë kandidatit nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Bardh Spahia, me një ndryshim prej 11 mijë e 703 votash.

Beci ka arritur të marrë 60.20% të totalit të votave nga 247 kuti të numëruara, ndërsa Spahia vetëm 39.8%.

Një reagim në mbylljen e gjithë procesit e ka pasur menjëherë edhe drejtuesja socialiste e qarkut Shkodër, Elisa Spiropali, e cila e investuar tërësisht për marrjen e “kështjellës historike” të të djathtëve, reagimin e ka pasur tejet modest.

“+11703. Shkodra asht dashni”, shkruan Spiropali në median e saj sociale Facebook.

Në një reagim lidhur me rezultatin, kryebashkiaku i ri tashmë i kryeqytetit të veriut, Benet Beci, theksoi se objektivi i tij, është që ta kthejë qytetin në një qendër të rajonit, duke i falënderuar të gjithë votuesit.

Fitorja historike, Beci: Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit

Rivali i tij i djathtë ndërkaq, Bardh Spahia, i cili në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 arriti që i vetëm ta rrokte Shkodrën nga duart e socialistëve, ka kundërshtuar rezultatin, duke u shprehur se “çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, kurse shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohërave më të errëta”.

Reagon Spahia pas “dorëzimit” të Shkodrës: Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit nuk jeton gjatë

Qyteti verior gjithsesi nuk i ka rezistuar këtë herë kthesës socialiste, që për herë të parë ndodh në 32 vjet demokraci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore