Lajme

Mblidhet Kuvendi, vazhdim i seancës së kaluar


Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten, do të mblidhen për të vazhduar seancën plenare e cila kishte filluar të martën.

Seanca e re kishte filluar pasi që paraprakisht ishte mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për ndryshimin e çmimit të rrymës në Kosovë.

Kjo seancë u ndërpre, pasi që opozita lëshoi sallën dhe nuk kishte kuorum për të vazhduar rrjedhën normale të seancës.

Punimet në këtë seancë nisin nga ora 11:00 dhe do të shqyrtohen disa pika.

  1. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
  2. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  3. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb;
  4. Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”;
  5. Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021;
  6. Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.
  7. Të martën e tetë shkurtit, ka dështuar të mbahet seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, pasi në sallë ishin vetëm 57 deputetë.

Të martën e tetë shkurtit, ka dështuar të mbahet seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, pasi në sallë ishin vetëm 57 deputetë.

Pas pauzës të seancës së paradites, e cila zgjati më shumë se një orë, shumë deputetë nuk u rikthyen fare në sallën plenare të Kuvendit.

Ndërsa, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e bojkotuan Kuvendin edhe pasdite.

Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se seanca e njëjtë do të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.

“Konsideroj se nuk ka kushte për sot që të mbahet kjo seancë, shihemi nesër në orën 11:00 për ta vazhduar”, tha Konjufca.

Kuvendi i Kosovës.

Në rend të ditës për seancën e të martës ishin disa projektligje dhe debati parlamentar për Raportin e Progresit për vitin 2021.

Në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të anulohet vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kË.

“Kërkoj që të fillojmë procedurat menjëherë në këtë seancë dhe të anulojmë vendimin e ZRRE-së”, ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me të nisur seanca plenare në Kuvend, pak minuta pas votimit nga ZRRE.

Mirëpo, Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar mocionin e opozitës për të zhbërë vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Ky propozim është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga 87 deputet të pranishëm vetëm 36 e kanë votuar, pas mosvotimit opozita ka lëshuar sallën dhe seanca ka vazhduar.

Ndërsa, në mungesë të kuorumit nuk kanë arritur të votohen pikat e tjera të diskutimit.

Sipas propozimit të opozitës, kjo çështje do të vendoset si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRRE-së.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore