Lajme

Opozita kërkon shfuqizimin e vendimit të ZRRE-së


Kuvendi i Kosovës.

Në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të anulohet vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), për shtrenjtimin e energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kW.

“Kërkoj që të fillojmë procedurat menjëherë në këtë seancë dhe të anulojmë vendimin e ZRRE-së”, ka deklaruar shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me të nisur seanca plenare në Kuvend, pak minuta pas votimit nga ZRRE.

Sipas tij, kjo e rëndon situatën aktuale edhe më shumë.

“E rëndon gjendjen jashtëzakonisht shumë, gjendjen e qytetarëve të Kosovës, vlerëson vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”, ka vazhduar më tej Tahiri.

Kjo ka nxitur debat mes Tahirit dhe kryeparlamentarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Tahiri tha se, “ne si deputet duhet të mblidhemi dhe të marrim mandatin e këtij bordi të ZRRE-së, me një rezolutë të re”.

Ndërsa Konjufca, ju kundërpërgjigj duke i thënë se, “duhet të ndërroni ligjin”.

Ai tutje i ka sqaruar Tahirit se Republika funksionon në bazë të ligjeve.

“Republika funksionon me ligje siç e di, dhe ligji për ZRRE-në e ka një problem sa i përket kësaj që po kërkoni ju. Ato vendime mund të shkojnë vetëm në gjykatë”.

Ndërsa, Tahiri deklaroi se kanë njohur për një gjë të tillë.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk mund të shkarkohet bordi i ZRRE-së, me një rezolutë në kuvend por ne duhet të fillojmë diku”.

“Duhet të përdorim të gjitha format e lejuara për shkarkimin e këtij bordi”.

Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka sqaruar se ZRRE ka vepruar në bazë të konsultimeve.

“ZRRE ka hap periudhën e konsultimeve për 2 javë, as një grup e as një tjetër nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare komentet në ZRRE”.

“Po ashtu, ZRRE është konsultuar kur i kemi pasur në komision për ekonominë, të mos merren me komentet politike, por me dokumentet zyrtare dhe ligjin mbi rregullatorin”.

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami reagoi ndaj Kusarit-Lila duke i thënë se ishin shpifje që LDK nuk ka dërguar komente në ZRRE.

“Më vjen keq që zonja kusari nuk e di nëse me vetëdije ose pa, veç sa shpifi kur përfshiu LDK-në në grupin e partive që nuk kanë dërguar komente në ZRRE”.

Ajo tutje i është drejtuar shefes së grupit parlamentar të LVV-së që të kërkoj falje.

“Komentet e ZRRE-së kanë shkuar në zyrën e ZRRE-së, kryeministrit e ministrisë së ekonomisë, andaj kërkoni falje”.

“Propozimi ynë është që të kemi debat parlamentar, duke kërkuar nga qeveria me na tregu se kujt i është ngritë rryma 12.5 euro”.

Me pesë vota për dhe asnjë kundër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, merr vendim shtrenjtimin e tarifës së energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kW në muaj.

Ky propozim ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave si dhe është miratuar në mënyrë unanime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore