Aplikacione

Mbikëqyrësi britanik siguron për zotimet e Google


Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) në Mbretërinë e Bashkuar, ka njoftuar se kishte siguruar zotime nga Google-i në lidhje me propozimin e kompanisë teknologjike për të hequr cookie-it e palëve të treta nga shfletuesi i tij Chrome.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se mbikëqyrësi britanik ka thënë se zotimet ishin rezultat i veprimit që nisi kundër kompanisë amerikane në muajin janar pas shqetësimeve që propozimet e saj mund të kufizonin konkurrencën e reklamave digjitale.

Për sa i përket cookie-ve të palëve të treta, ato përdoren nga reklamuesit digjitalë për të personalizuar dhe synuar reklamat.

Google-i kishte njoftuar se teknologjia e tij e re e quajtur Privacy Sandbox, do t’i lejonte përdoruesit të marrin reklamat përkatëse pa u gjurmuar në një nivel individual.

Gjithashtu kompania ka pranuar se e kishte mirëpritur mundësinë për të punuar me një rregullator për iniciativën e saj me qëllim të pajtimit të privatësisë dhe shqetësimeve të konkurrencës.

“Sot ne po ofrojmë një sërë angazhimesh si rezultat i shumë orëve të diskutimeve me CMA-në dhe më në përgjithësi me komunitetin e gjerë të internetit, rreth mënyrës se si ne do të hartojmë dhe zbatojmë propozimet e Privacy Sandbox-it dhe se si do të trajtojmë të dhënat e përdoruesve në sistemet e Google-it për vite përpara”, ka shkruar kompania në një postim në blog.

Ndër të tjera, Google-i ka thënë se nuk do të kishte përparësi të dhënash për produktet reklamuese të vetë kompanisë nën propozimet e saj dhe se produktet e saj reklamuese ose faqet e tyre nuk do të kenë trajtim preferencial.

Nga ana tjetër, CMA-ja ka bërë të ditur se Google-i do të konsultohet tanimë për zotimet e bëra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore