Lajme

Mbi 700 të evakuuar nga qyteti ukrainas Sumy


Nga Ministria ruse e Mbrojtjes u tha se 723 persona janë evakuuar përgjatë një korridori humanitar të rënë dakord nga qyteti verilindor i Ukrainës, Sumy, të martën.

Ministria citoi agjencinë shtetërore të lajmeve “RIA Novosti”. Kjo e fundit raportoi se mes të evakuuarve përfshinin qytetarë indianë, kinezë, jordanianë dhe tunizianë.

Autokolona e parë që u nis të martën në mëngjes arriti në qytetin e Poltava-s pa incidente, thanë zyrtarët ukrainas.

Një kolonë e mëvonshme u vonua nga një shpërthim zjarri në periferi të qytetit, sipas kreut të administratës rajonale, Dmitry Zhyvitsky.

Por Zhyvitsky u citua në mediat lokale të ketë thënë se forcat ruse nuk qëlluan mbi kolonën.

Është e paqartë nëse kolona vazhdoi drejt Poltava.

Kjo është dita e 13-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrianës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit rus në Ukrainë, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe mbi 11 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërsa të paktën 474 civilë, përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore