Shqipëria

Maturantët këmbëkryq përballë MASR, kërkohet ulja e pikësimit për matematikën


Disa maturantë të Tiranës kanë nisur një protestë përballë Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, me kërkesë kryesore atë të uljes së pikësimit për testin e maturës në lëndën e matematikës, mbi të cilin ata argumentojnë se ka qenë shumë i vështirë dhe me pyetje jashtë programit mësimor.

Ndër thirrjet kryesore të maturantëve, janë ato “Duam drejtësi” dhe “Ulni pikësimin”.

Akuza janë hedhur mbi organet kompetente, për hartimin e testeve. Sipas nxënësve, ato janë kopjuar nga teste online të Cambridge-it.

Aksi i rrugës së Durrësit është bllokuar tërësisht për shkak të protestës. Kjo nuk është hera e parë që maturantët dalin në të tillë protestë ndaj Ministrisë së Arsimit.

Njëkohësisht, protesta po bëhen edhe në Durrës dhe Shkodër.

Raste të ngjashme kanë qenë edhe ato të vitit të shkuar, për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Po ashtu, edhe protestat studentore të universiteteve, për uljen e tarifës shkollore dhe përmirësimin e kushteve.

Asgjë jashtë programit!

Pas ankesave të maturantëve mbi vështirësinë e provimit të maturës kanë reaguar edhe specialistët e arsimit nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Sipas tyre provimi i përfshinte të tre nivelet dhe nuk e kuptonin se pse maturantët kishin shfaqur pakënaqësi.

“Nxënësit e mirë nuk kanë pasur vështirësi. Pjesën tjetër mund ta zgjidhnin me studim shenje, me grafik apo pikë provë”, tha përfaqësuesja e QSHA-së.

Ata theksuan se i është dhënë rëndësi situatave nga jeta reale, dhe pikërisht këto pyetja janë cilësuar si të vështira nga maturantët.

Këto të fundit më herët, nëpërmjet mediave sociale kanë bërë thirrje për ngritje në protestë.

“Pasi kanë parë skemën e vlerësimit maturantët janë qetësuar”, tha njëra nga specialistet.

Por, përfaqësuesit e QSHA-së, kanë shprehur se nëse do të verifikohen pyetje mbi nivelin e përcaktuar të vështirësisë do të ketë një rishikim të rezultateve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore