Film

Mathew McConaughey nuk do të garojë për guvernator të Teksasit


Aktori i  njohur, Matthew McConaughey, ka bërë të ditur se nuk do të garojë për guvernator të Teksasit, përkundër suksesit të arritur nëpër sondazhet e realizuara së fundmi.

Lajmi vjen pas aludimeve se gjatë këtij viti, ylli i filmit “Dallas Buyers Club”, lindur e rritur në Teksas, kishte kontaktuar njerëz me peshë të madhe politike në këtë shtet amerikan në synimin e tij për garim.

“Si një fëmijë i thjeshtë i lindur në qytetin e Uvaldes së Teksasit, nuk më ka shkuar kurrë në mendje që një ditë të konsiderohem për lidership politik”, ka thënë McConaughey.

“Është po ashtu një rrugë që po e zgjedh që të mos e marr për momentin”, ka shtuar ai.

Matthew McConaughey

Ndryshe, Universiteti i Teksasit dhe “Dallas Morning News”, kishin publikuar një sondazh sipas të cilit në garën për të parin e zyrës të Guvernatorit të Tekasit, ylli i filmit “Titanic”, Matthew McConaughey, kishte mundësi t’i mposhtë të dy kundërshtarët e tij.

Bazuar në të dhënat e sondazhit, McConaughey, i cili aktualisht jeton në Austin, mund të fitonte betejën kundër republikanit, Greg Abbott dhe demokratit, Beto O’Rourke.

Sondazhi nga Universiteti i Teksasit dhe “Dallas Morning News” zbuloi se McConaughey preferohet përballë dy kandidatëve të tjerë, por se Abbott do të fitonte në një garë tre-palëshe.

Në sondazhin e ri, të anketuarit e pyetur për një ndeshje hipotetike midis Abbott dhe McConaughey më tepër preferuan aktorin – 43% në 35% , ndërsa pjesa tjetër thanë se nuk ishin të sigurt.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore