Shqipëria

MAS-ja mbyll kopshtin “Flatrat e Dijes”, pasi gjeti shkelje gjatë inspektimit


Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, ka mbyllur institucionin arsimor parashkollor, “Flatrat e Dijes” në Fier.

Kjo, pas vdekjes së një fëmije 3-vjeçar në ambientet e saj.

Gjatë inspektimit të grupit të punës, ministria zbuloi se institucioni nuk ka drejtues didaktik.

Ndërkaq, në kopsht janë regjistruar fëmijë nën moshën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin.

Shkeljet konstatuan edhe se personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57.

“Flatrat e Dijes” nuk plotëson as standardet infrastrukturore, sipas vërejtjeve.

Kopshti, ndërkaq ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar.

Në përmbyllje, institucioni konstatoi se kopshti nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit.

“Nisur nga këto shkelje, MAS mori vendimin për mbylljen e veprimtarisë së këtij kopshti dhe revokimin e licencës nga QKB”, njoftoi Ministria e Arsimit.

Burg

Gjatë muajit janar, edukatorja Redina Binjaku u dënua me 30 ditë burg.

Edukatorja dyshohet se ka neglizhuar situatën ndërsa fëmija ka qenë nën mbikëqyrjen e saj.

Vetë 27-vjeçarja, nuk ishte pranishme në Gjykatë kur u mor vendimi.

Ajo u përfaqësua nga avokati i saj mbrojtës, i cili është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” për klienten e tij.

Familjarët nga ana tjetër, do të protestonin përpara Prokurorisë së Fierit, duke kërkuar që ngjarja të zbardhet.

Familjarët e 3-vjeçarit

​“Jemi drejtuar para Prokurorisë së Fierit për një hall që mos i ndodhtë askujt, asnjë prindi. Kemi çuar fëmijën në çerdhe, si të gjithë fëmijët e tjerë, dhe na vjen lajmi që na ishte mbytur”.

Kështu deklaruan ata për mediat.

Ndërsa mamaja e 3-vjeçarit, akuzoi kopshtin se po mundohet të fshehë situatën. Ajo nuk e beson se fëmija mund të vritej aksidentalisht në kushtet dhe rrethanat ku gjendej dhe kërkon që drejtësia të vihet në vend.

Ndërtimi i incidentit tragjik

Binjaku, e cila ishte banuese në Fier, u arrestua mëngjesin e 8 janarit.

Kjo, pasi në kopshtin privat ku punonte si edukatore, do të humbte jetën aksidentalisht një 3-vjeçar.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 7 janarit në Fier, ku fëmija i mitur u dërgua pa shenja jete në spital.

Familjarët e tij kanë pretenduar se në trup ka pasur të nxira.

Nga ana tjetër, sipas policisë, dyshohet se fëmija është mbytur në momentin kur është zgjatur për të marrë një veshje te varësja e rrobave.

Në këtë moment, atij i ka ngecur kapuçi i xhupit dhe është rrëzuar, duke u mbytur prej vetë xhupit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore