Kosova

Maqedonci: 28 nëntori shënon tri nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë – protagonistët punuan për një komb


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke e konsideruar 28 nëntorin si datën që shënon ngjarjet më të rëndësishme të popullit të Kosovës.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ është shprehur se të gjitha veprimet u lidhën hallkë me njëra-tjetrën për të arritur në këtë ditë.

“28 Nëntori shënon tri nga ngjarjet më të rëndësishme të popullit tonë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë, ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Të tri ngjarjet dhe të gjithë protagonistët e këtyre ngjarjeve tërë jetën e tyre punuan për një komb, një gjuhë dhe një flamur”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri, tutje ua ka uruar të gjithëve 28 nëntorin.

“Sot fillimisht me krerët shtetëror dhe pastaj me gjeneralët dhe oficerët e ushtrisë sonë bëmë homazhe në Prekaz, aty ku liria jonë i ka rrënjët, aty ku ideali kombëtar do të jetoj përgjithmonë”.

“Urime të gjithëve 28 Nëntori, të festojmë e të punojmë bashkë dhe t’i shërbejmë kombit tonë bashkë!”.

Homazhe në Prekaz kanë bërë edhe krerët e shtetit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Përveç ditëlindjes së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të martën e 28 nëntorit është shënuar edhe 111 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore