Lajme

“Manovrat diplomatike të Serbisë” – A ekziston çnjohja si koncept në të drejtën ndërkombëtare?


Ilustrim

Janë nëntë shtete dhe një në pritje, të cilët sipas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kanë çnjohur pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo çnjohja si koncept në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ekziston fare.

Dy shtete mund të ndërprejnë raportet e tyre bilaterale ose diplomatike, por assesi ta çnjohin njëri tjetrin.

Për profesorin e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Besfort Rrecaj, deklaratat e njëanshme e njohjes së një shteti i lëshuar në formë zyrtare nga organet përfaqësuese shtetërore janë obligative dhe nuk mund të tërhiqen njëanshëm.

Gjatë një bisede për Albanian Post, profesor Rrecaj kishte argumentuar se autorët më eminentë të së drejtës ndërkombëtare janë të mendimit se njohja de jure e shtetit është e pakthyeshme, pasi ajo ka karakter deklarativ.

“Nuk është e arsyeshme hezitimi i një shteti për ta njohur një shtet tjetër nëse do të ishte aq e lehtë tërheqja e njohjes”, kishte thënë për AP, Rrecaj.

Nuk është hera e parë që Vuçiç pretendon se Serbia ka bindur disa shtete ta ndryshojnë qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës.

Qeveria serbe prej kohësh, kryesisht përmes ideatorit të fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, Ivica Daçiç, ka pretenduar se ka arritur t’i bindë disa shtete kryesisht nga Afrika për ta ndryshuar pozicionin në raport me pavarësinë e Kosovës.

“Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet”, tha Vuçiç, janë nëntë shtete të cilët, e kanë çnjohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë që i njëjti po i numëronte këto shtete e me mburrje thoshte se diplomacie serbe nuk e ka ndaluar për asnjë moment aktivitetin e saj kundër shtetësisë së Kosovës, deklaroi se janë në pritje që edhe shteti i 10-të – emrin e të cilit nuk e bëri publike – t’i bashkohet karvanit të çnjohjeve.

Në anën tjetër Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk është deklaruar ende për këto pretendime të Serbisë.

Gjithsesi, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, gjersa po raportonte për punën e dikasterit të cilën e drejton në Komisionin për Punë të Jashtme, javë më parë, gjithë këto pretendime të presidentit të Serbisë për çnjohje i kishte “hedhur në ujë”.

Gërvalla, kishte bërë të ditur se fushata e Serbisë në disa shtete specifike për ta çnjohur Kosovën, ka rezultuar e dështuar.

“Ka pasur një fushatë të Serbisë për çnjohje, por nuk kemi asnjë informacion që kjo fushatë e çnjohjeve ka pasur rezultat ose sukses në ndonjërin nga shtetet. Përpjekjet kanë qenë të shumta duke filluar nga dhënia e armatimit, nga vaksinat nga produktet e ndryshme ushqimore, ndihma humanitare”, kishte thënë Gërvalla.

Të gjithë këtë dështim të diplomacisë serbe, Gërvalla ia kishte atribuuar si sukses të kundërofensivës së MPJ-së kosovare.

“Fushata është konstatuar se ka dështuar pasi që Ministria e Punëve të Jashtme ka kontaktuar secilin prej shteteve të cilët eventualisht kanë mundur të jenë në listën e çnjohjeve të Beogradit”, kishte shtuar ajo.

“Diplomacia e sheqerit” – Cilave shtete iu ofroi Serbia sheqer për ta çnjohur Kosovën?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore