Sport

Manchester United refuzon ofertën e Sevilla-s për huazimin e Martial-it


Skuadra e Manchester United e ka refuzuar ofertën e parë për sulmuesin, Anthony Martial-in. Spanjollët e Sevilla-s dërguan ofertën në drejtim të anglezeve.

Sipas medias britanike “Daily Mail”, oferta e spanjollëve, konsistonte në mbulimin e vetëm një pjese të pagës prej 200 mijë paundësh në javë që përfiton francezi.

Martial-i i ka konfirmuar trajnerit të përkohshëm të United, Ralf Rangnick-ut se ai dëshiron të largohet nga “Old Trafford”. Kjo për shkak të minutazhit të pakët që ka në dispozicion.

Sevilla propozoi huazimin e thjeshtë deri në fund të sezonit, por pa të drejt ose detyrim blerje. Edhe vetë futbollisti thuhet se e preferon kalimin në Spanjë.

Ish-lojtari i Monaco-s u bashkua me United në vitin 2015 për shifrën e 58 milionë paundëve. Në 268 paraqitje me “Djajt e Kuq” ai ka realizuar 79 gola.

“Ne folëm gjatë”, tha Rangnick-u përpara barazimit 1-1 të së hënës në Newcastle.

“Ai më shpjegoi se ka qenë te Manchester United për shtatë vitet e fundit dhe ai mendon se është koha e duhur për një ndryshim, për të shkuar diku tjetër”.

“Në një farë mënyre kjo është e kuptueshme”.

“Nuk duhet të jetë vetëm në interes të lojtarit, por duhet të jetë edhe në interes të klubit. Deri më tani, me sa di unë, nuk ka pasur ofertë nga asnjë klub tjetër dhe për aq kohë sa është kështu ai do të qëndrojë”, theksoi gjermani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore