Lajme

Maliqi: Kosova s’duhet të heq dorë nga kërkesa për njohje nga Serbia


Pas publikimit të kornizës së re për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë nga Albanian Post, njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi, ka theksuar se Kosova asnjëherë nuk duhet të heq dorë zyrtarisht nga kërkesa për njohje të drejtpërdrejtë.

“Por nuk duhet harruar se edhe “njohja e tërthortë” e cila ia hap Kosovës rrugën për njohjen e shteteve të BE/NATO dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare sidomos atyre evropiane është de fakto njohje, sepse ia zgjidh në masë të madhe Kosovës problemin më të madh të izolimit”, ka shkruar në Facebook Maliqi.

Ai ka shtuar se “le të mos e njohë Serbia formalisht një shtet i cili për disa vite për shkak të heqjes së pengesave mund të jetë pjesë e NATO-s”.

“Gjithsesi, “njohja e tërthortë” sipas modelit të dy Gjermanive, si formë e “shpëtimit të fytyrës” për Vuciç, do të duhej që njëkohësisht ta ulte edhe koston e kompromisit nga ana e Kosovës”, shtoi ai.

Sipas tij, kjo edhe për faktin se Kosova nuk ka garanci për hyrje në OKB, ku pengesë është Rusia e cila i ka pazaret e veta me perëndimin.

“Pamundësia për ta imponuar një kompromis paralizues i cili do ta zhbënte së brendshmi efektin e njohjeve ndërkombëtare është shqetësimi kryesor i Beogradit. Jo rastësisht zëra nga “shteti i thellë” kleriko-fashisto-nacionalist në Serbi janë të alarmuar paksa nga zhvillimet e fundit. Mbetet të shihet se kush do t’ju bashkohet atyre në Kosovë”.

Sipas kornizës të cilën e ka publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore