Përballje

Liverpool-i realizon ëndrrën në ‘Teatrin e Ëndrrave’, makth për Manchester United


Në ndeshjen më të madhe në Angli, vetëm një skuadër doli në fushë, dhe ajo ishte Liverpool-i.

Skuadra e Jurgen Klopp e turpëroi Manchester United-in deri në atë pikë sa tifozët e lanë stadiumin qysh në pjesën e parë.

Djajtë e kuq u dominuan nga minuta e parë, dhe jo vetëm me posedim, por edhe me gola.

Ende pa u mbyllur çereku i parë i lojës, Liverpool-i shënoi dy herë.

Ishte fillimisht Naby Keita që shfrytëzoi një pasim të mirë nga Salah, dhe më pas Jota që u servua si në pjatë nga Trent Alexander-Arnold.

Pastaj, ishte koha e të përhershmit Mohamed Salah, që e shfrytëzoi stadiumin e United tamam si teatër, duke dhuruar shfaqje.

Ai shënoi dy herë para se të mbyllet pjesa e parë.

Salah shënoi edhe në pjesën e dytë, për të kompletuar hetrikun dhe për të gjetur golin e dhjetë sezonal.

Deri në fund, United nuk kishte fuqi që të ndryshonte asgjë, madje edhe mbeti me dhjetë futbollistë në fushë pas daljes së Pogba-s me të kuq.

Pas këtij turpërimi, tifozët e United shpresojnë që lajmi i parë pas ndeshjes do të jetë shkarkimi i Ole Gunnar Solskjaer.

Liverpool ngjitët në vendin e dytë me 21 pikë, ndërsa United mbetet në të shtatin me vetëm 14 të tilla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore