Zgjedhjet në Kosovë

Limaj: Ka tendencë në Prishtinë që të ndalet zëri i çlirimtarëve


Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është shprehur i bindur se partia që drejton ai do të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Ish-komandanti i kthyer në politikan ka theksuar se kauza që përfaqësojnë si parti po mobilizon votues si asnjëherë më parë dhe rrjedhimisht zëri i tyre do të jetë zëri i çlirimtarëve në parlament.

“Do ta shihni më 14 shkurt a e kalojmë pragun. Ka një tendencë në Prishtinë që të ketë sa më pak zë të çlirimtarëve në Kuvendin e Kosovës. Por qytetarët nuk mund të mashtrohen. Zëri jonë është siguri në Kuvendin e Kosovës”.

“Kemi mbështetje të madhe gjithandej Kosovës. Kemi rreshtim të jashtëzakonshëm të njerëzve që ne na duan në kuvend”.

Limaj ka deklaruar që, përtej partisë që drejton, janë me mijëra ushtarë dhe bashkëluftëtarë që e kanë vërejtur atë që ai e quan tendencë që të ndalet zëri i çlirimtarëve.

Ai po ashtu ka komentuar edhe pozicionimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke iu dhënë epitet togfjalëshit të tij “shkoi errësira, erdhi drita”.

“Mohuesit nuk na duhen. Nuk na duhen ata që mohojnë të arriturën më të madhe të këtij vendi dhe mendojnë se gjithçka fillon me ta. Si mund të thonë shkoi errësira, erdhi drita, vetëm se fitova unë?”

“Si munden të gjitha ato përpjekje të luftës çlirimtare, deri te ndërtimi i shtetit të Kosovës t’i shohin si errësirë? Për gjynah janë ata që thonë kështu”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore