Lajme

“Ligjëratat” e kryeministrit, të padobishme për opozitarët – “s’tregon, s’di, s’ka plan”


Foto nga Albanian Post

Të tre liderët opozitarë, Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku kanë dalur nga takimi me kryeministrin Albin Kurti ashtu siç janë futur – me paqartësi dhe pa informacion se cili është plani i qeverisë për situatën në veri – nëse veç ekziston një i tillë.

Madje, derisa në takimin që zgjati gati dy orë Krasniqi e Abdixhiku qëndruan deri në fund, Haradinaj vendosi të largohej.

“U detyrova ta lëshoj takimin sepse Kurti mbante ligjërata”, shkroi Haradinaj në Facebook dhe me gjasë ligjëratat nuk ishin interesante për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Haradinaj, siç e sqaroi në status, kishte shkuar për të kuptuar përgjigje në një pyetje: si janë raportet me Amerikën?

“Nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”, shpjegoi Haradinaj.

Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës qëndroi më gjatë në takim, por doli me paqartësitë e njëjta nga takimi si edhe kolegu i tij opozitar.

“Unë isha më shumë i interesuar për planet e ardhshme të qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë, nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e di në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të ndërmarrë për ta mbajtur situatën nën kontroll”, deklaroi pas takimit Krasniqi.

“Në fund të fundit qëllimi i të gjithëve duhet të jetë mbarëvajtja e rendit publik dhe mbajtja e paqes, por me këtë rast edhe një herë ia shpreha qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës se në këtë moment Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme, i duhen veprime të cilat e ruajnë shtetësinë dhe sovranitetin në çdo centimetër të Republikës së Kosovës”.

Krasniqi shtoi se “qeveria duhet të ndërmarrë veprime”, por gjithçka mbetet në këtë rrafsh operimi aktualisht – “duhet”.

“Papjekuria dhe mungesa e koordinimit me aleatët duket se kanë sjellur një momentum që ka mundur të shmanget, sidoqoftë ne jemi ku jemi. Kosovën duhet ta vendosim prioritet para çfarëdo konsiderate partiake”.

Mendimet e Haradinajt e Krasniqit për paqartësinë e kryeministrit në takim, i ri-konfirmoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

As ai, njëjtë si dy të parët, s’kishte parë të ekzistojë ndonjë strategji operimi – ose të paktën atë s’ua kishte shpalosur atyre Kurti.

Për kureshtarët se çfarë u bisedua në takimin e përbashkët, Abdixhiku shoi kureshtjen.

Ishte pak a shumë ajo që e thotë publikisht, veçse tash na e tha privatisht, pohoi.

“Në këtë takim, për pjesën më të madhe, nuk kuptuam diçka më të re se sa deklarimet publike që kryeministri tanimë i ka pasur dhe nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së re të krijuar në vakumin institucional, gjyqësor e juridik në veri të vendit”.

Për më keq, sipas Abdixhikut, “nuk pamë as ndonjë lëvizje ose gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët tonë perëndimorë”.

“Pra, për Lidhjen Demokratikë të Kosovës, ne besojmë se koordinimi i ngushtë me departamentin amerikan të shtetit, me institucionet e sigurisë amerikane, me aleatët tanë në Uashington e në Bruksel është zgjidhje e vetme adekuate në situatën e tanishme që është Kosova”.

Abdixhiku ka sqaruar edhe faktin se qeveria nuk do të duhej në asnjë mënyrë ta shtronte çështjen në atë formë, ku qytetarët do të duhej të zgjidhnin mes shtrirjes së ligjit në veri dhe aleatëve ndërkombëtarë që po i kërkojnë Kosovës të ndalojë me vendimin, të paktën për një kohë.

“Një qeveri që e sjellë Kosovën, qytetarët e vendit, të zgjedhin mes ligjshmërisë dhe aleatëve të vet, pra një qeveri që i kërkon popullit të vetë të zgjedhë mes aleatëve historikë dhe ligjshmërisë, ka bërë që në fillim gabim. Ne kërkojmë që kjo qeveri e Kosovës të sigurojë edhe ligjshmërinë dhe aleatët e vet”, tha kryetari i LDK-së.

Abdixhiku ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së se “Kosova nuk duhet të bjerë prehe e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por që duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet” dhe se për këtë “Qeveria e Kosovës do të ketë mbështetjen e LDK-së”.

Kurti është deklaruar shkurtimisht për kritikat e opozitës se ai nuk ka ndonjë plan, por vetën për të thënë se “ata janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues”.

Sa për raportet me aleatët ndërkombëtarë, kryeministri pohoi se jo që nuk ka prishje të raporteve, por “përkundrazi, ka dendësi të komunikimit”.

Në ndërkohë, derisa liderët politikë të arrijnë ta kuptojnë njëri tjetrin, në Kosovë 10 deputetë serbë kanë djegur mandatet, mbi 400 policë serbë kanë lëshuar radhët dhe katër komuna me shumicë serbe në Kosovë janë pa kryetarë.

Gjithashtu, gjykatat në veri janë në probleme, pasi personeli serb ka lëshuar pozitat nëpër këto institucionet të drejtësisë. Serbët janë larguar nga të gjitha nivelet në institucionet e Kosovës si revoltë për vendimin e qeverisë që të qortojë shoferët që bartin targa ilegale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore