Përballje

Liga e Kampionëve: Prishtina zhvillon ndeshjen historike kundër Ferencvaros


Prishtina fiton ndaj Inter Escaldes 2:0

Këtë të martë, kampioni i Kosovës në futboll, FC Prishtina, do të zbresë në fushë për ta zhvilluar ndeshjen e parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Kundërshtar i Prishtinës, do të jetë kampioni i Hungarisë, Ferencvaros, një rival shumë i fortë, të cilët ishin në fazën e grupeve të edicionit të kaluar në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Groupama Arena” në Budapest, me fillim nga ora 18:00.

Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës ka udhëtuar të hënën drejt Budapestit, si dhe ka zhvilluar një seancë stërvitore atje, për të qenë sa më të përgatitur për këtë sfidë.

Në konferencën për media, trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, theksoi se Ferencvaros-i është një favorit absolut në këtë ndeshje, mirëpo Prishtina nuk do të dorëzohet dhe do të kërkojë pikat e dobëta të kundërshtarit.

“E kemi analizuar Ferencvaros-in, e dimë çfarë kundërshtari i fortë është. Ia dimë pikat e forta”, tha Ramadani.

“Por, ne nuk kemi ardhur me flamur të bardhë, kam besim të plotë në futbollistët e mi, duke besuar shumë në rezultat pozitiv, duke u bazuar që rivalët e nesërm kanë një trajner të ri duke shpresuar që mos të ketë arritur ende të harmonizohet ekipi dhe ai ndërmjet veti”, theksoi Ramadani.

Prishtina arriti në raundin e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, pasi që fitoi garën preliminare, ku mposhti kampionin e San Marions, Folgore si dhe në finale mposhti kampionin e Andorrës, Inter Escaldes.

Në këtë përballje, Prishtina do të paraqitet me të gjithë futbollistët, pasi që nuk ka asnjë mungesë në skuadër.

Kujtojmë që ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 13 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:00.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore