Gatimi

Lazanjë me kimë, pjata perfekte e fundjavës


Provoni recetën e lazanjës me kimë, një pjatë e ngrohtë dhe e veçantë në shijen që ofron, duke u përgatitur lehtë në shtëpi. Ky gatim përmban ushqyes që mbushin dietën tuaj dhe krijojnë një pjatë fantastike për vaktet e përditshme ose për rastet festive.

Kjo recetë sugjerohet nga shefi i kuzhinës Renato Mekolli.

Përbërësit

Për kimën: 500 gr mish i grirë viçi, 250 gr domate të freskëta, 200 gr djathë Gouda, 200 gr djathë Parmigiano, 200 gr Mozzarella, 1 qepë e thatë, vaj ulliri, kripë, piper.

Për beshamelin: 1 litër qumësht, 100 gr gjalpë, 1 vezë, 3 lugë gjelle miell, kripë, piper.

Përgatitja:

Presim qepën në kubikë të vegjël, të cilët i vendosim në një tigan të thellë.

I skuqim sa të marrin pak ngjyrë të verdhë dhe më pas shtojmë mishin e grirë. I përziejmë në zjarr të ulët.

Lajmë dhe pastrojmë domatet, i grijmë në pjesë shumë të vogla në rénde dhe i lëmë mënjanë.

Kujdesemi që mishi me qepën të jenë lidhur, dhe më pas shtojmë domatet, kripën dhe piperin. I lëmë të ziejnë në zjarr të ulët, derisa të gjithë përbërësit të lidhen me njëri-tjetrin.

E heqim tiganin nga zjarri dhe nisim përgatitjen e beshamelit. Marrim një gotë dhe e mbushim me qumësht, ku shtojmë dhe një lugë gjelle miell, në mënyrë që të kontrollojmë se sa miell na duhet për sasi të caktuara qumështi.

Marrim një tigan të pastër ku hedhim pak gjalpë dhe miell, dhe i përziejmë bashkë. Përziejmë ngadalë, deri sa të marrin ngjyrë të verdhë. Më pas e lëmë mënjanë që të ftohet.

Në një enë të thellë vendosim qumështin për t’u zier. Një pjesë të qumështit ia shtojmë ngadalë miellit me gjalpin që skuqëm më parë, dhe që tashmë është ftohur. Kujdesemi që të krijohet një salcë e trashë.

Shtojmë salcën e sapo gatuar tek ena me qumësht të zier dhe e përziejmë ngadalë me lugë druri, duke e ulur pak zjarrin. Ndërkohë ndezim furrën në temperaturën 200 gradë.

Kur masa të jetë bërë më e trashë dhe kremoze, e lëmë për 7 minuta që të pushojë. Ndërkohë në një enë rrahim vezën me një rrahëse metalike vezësh.

Shtojmë vezën e rrahur në enë dhe e përziejmë, derisa të lidhet me masën ekzistuese dhe të formojë masën kremoze të beshamelit. Ndërkohë, grijmë djathrat në rénde. Parmigiano-n e grijmë imët tek pjesa e hollë e réndes, ndërsa Mozzarella dhe Gouda në pjesën e trashë të réndes. I vendosim bashkë në një pjatë dhe i lëmë mënjanë me përbërësit e tjerë.

Sjellim përpara të gjithë përbërësit që kemi përgatitur që të shtrojmë lazanjën.

Lyejmë tavën me pak kimë dhe shtrojmë petat e lazanjës, duke kombinuar përbërësit sipas rradhës. Fillimisht vendosim pak kimë, më pas beshamel, tri llojet e djathrave dhe në fund petën e lazanjës. Ndjekim të njëjtin proces deri sa të formohen 4 shtresa.

Pasi të kemi përfunduar mbushjen, e vendosim në furrë dhe e lëmë të piqet për 20 minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore