Sport

Laporta: E lejuam Messi-n të ikte për të shpëtuar klubin


Presidenti i Barcelona-s, Joan Laporta ka mbajtur një konferencë për mediat pas lajmit të largimit të super yllit argjentinas, Lionel Messi-t nga “Camp Nou”.

Sipas Laporta-s, palët ishin dakord për të nënshkruar kontratën e re, por në aspektin ekonomik ajo kontratë do të “rrezikonte financat” e klubit pasi marrëveshja e re do i jepte argjentinasit “110% të fitimeve të klubit”.

“Klubi është mbi gjithçka, madje edhe mbi lojtarin më të mirë në botë”, tha Laporta të premten në mëngjesë.

“Pa pagën e Messi-t, pagat e tjera në klub do të përbenin 95% të të ardhurave të Barcelona-s”.

“Sezoni i fundit do të përfundojë me humbje të dyfishtë siç e parashikuam, 400 milionë euro”, shtoi Presitenti.

Laporta vijoi më tej duke thënë se pagat “duhet të përbejnë 65-70% të të ardhurave të klubit, kështu që ka ende shumë punë për të bërë”.

“Ne arritëm marrëveshje, por nuk mund ta zyrtarizojmë atë, për shkak të situatës ekonomike të klubit, që do të thotë se ne nuk mund ta regjistrojmë lojtarin për shkak të kufijve të pagës”, tha ai.

Shefi i Barcelonës u ankua për gjendjen financiare që ai kishte trashëguar nga ish-presidenti i klubit Josep Maria Bartomeu, duke e përshkruar atë si “shumë, shumë më keq” nga sa ishte parashikuar.

“Unë nuk dua të vazhdoj më tej për situatën që trashëguam dhe vendimet e tmerrshme që u morën në të kaluarën. Ne kemi shkuar nga e keqja në më keq”, vijoi të thoshte ai.

Kontrata e fundit e Messi-t me Barcelona-n ishte ajo e vitit 2017, që sipas “Forbes” e bënte argjentinasin sportistin e dytë në botë me fitimet më të larta për vitin 2021, 130 milionë euro.

Messi qëndroi për 21 vite me Barcelona-n, që nga viti 2000, kur mbërriti në akademinë e klubit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore