Lajme

Kuvendi nuk e voton Komisionin për hetimin e situatës energjetike


Kuvendi i Kosovës.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e të hënës nuk ka miratuar Komisionin për Hetimin e menaxhimit të krizës energjetike.

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.

Kjo pikë është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por iniciativën e PDK nuk e votuan deputetët e pushtetit.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se ngritja e këij Komisioni ka relevancë të madhe.

Sipas tij “do të ketë punë të mëdha për të bërë”.

“Ky Komision do të hedhë dritë ndaj të gjitha zhvillimeve energjetike”, tha Tahiri.

Deputeti nga PDK-ja, Abelard Tahiri.

Për këtë Komision, deputetit nga PDK-ja Ferat Shala është propozuar si nënkryetar i Komsionit e deputetja Eliza Hoxha si anëtare.

Ndër të tjera, kryetarja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se i mbetet Komisionit t’i hetojë pretendimet e opozitës, derisa sipas saj, Qeveria do të ofrojë transparencë lidhur me situatën energjetike.

Deputetët e PDK-së dolën nga salla e Kuvendit, derisa kryetarja e Grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se ky është vullneti i deputetëve.

VV-ja, mosmbështetjen e formimit të komisionit e ka arsyetuar me, “të pavërtetat e thënë nga opozita në sallë në lidhje me menaxhimin e krizës së energjisë”.

Edhe LDK-ja ka shprehur qëndrimet e veta lidhur me formimin e këtij komisioni.

“LDK-ja e konsideron të rëndësishëm një proces hetimi parlamentar ku do të hetohen të gjitha institucionet përgjegjëse”, deklaroi deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Ndërsa, kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, theksoi se për partinë e tij, pesë çështje janë me rëndësi.

“Është pagesa e rrymës në veriun e Kosovës, a është 4 milionë a sa. E dyta me një organ tonin me rolin e ZRRE-së, rolin që e ka pasur me Qeverinë edhe ngritjen e çmimeve për qytetarët. E treta çështje shumë e çuditshme, komunikimi i KEDS-it me Qeverinë”.

“Në kohën kur Qeveria ka marr informacion se po hymë në krizë. E katërta me gjendjen emergjente pse është dashur të shtyhet gjendja emergjente kaq shumë, dhe e fundit çështja e raporteve mes KESCO-s, KOST-it dhe KEK-ut”, tha Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore