Shqipëria

Kuvendi i përbashkët do të jetë një seancë jubilare, thotë Rama


“Në kuadër të 110-vjetorit të flamurit tonë kombëtar të pavarësisë të Shqipërisë, do të organizojmë kuvendin e përbashkuar të të dyja republikave. Një seancë jubilare, ku deputetët e dy shteteve do të jenë bashkë”.

Kjo do të ishte deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën për shtyp pas nënshkrimit të një sërë marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës.

Ndër të tjera, kryeministri i Shqipërisë shtoi se mes dy qeverive është rënë dakord, që në periudhën e fundit të vitit të publikohet revista e parë ndërqeveritare, për të parë të gjitha faktet dhe shifrat e bashkëpunimit, arritjet e marrëveshjeve etj.

Po ashtu, përveç revistës, do të ketë edhe një Fletore Zyrtare të të dyjave qeverive, e cila do të publikohet rregullisht në fund të çdo viti.

“E gjitha kjo do të bëhet për të informuar të interesuarit për bashkëpunimet mes nesh”, vijoi Rama.

Duke përmendur sërish shkëmbimet tregtare, Rama ritheksoi se, “volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës, kur kemi filluar këtë bashkëpunim, ka qenë 133 milionë euro, ndërsa sot ka kapur shifrën prej 433 milionë eurove”.

“Ambicia jonë është të shkojmë mbi 1 miliardë. Është rezultat i djersës, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë në dy anët dhe lehtësirave që kemi krijuar”, ravijëzoi kryeministri shqiptar.

Mesazhi i Ramës ishte i qartë: “Kemi shkallën më të lartë të nivelit të marrëveshjeve të nënshkruara me qeverinë Kurti. Të konsiderohet fakt dhe jo arsye për spekulime”.

Pasi renditi marrëveshjet dhe bashkëpunimet me Qeverinë e Kosovës, Rama u pyet për një sërë çështjesh nga gazetarët.

I pyetur për nismën rajonale – Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – të kurorëzuar “Open Balkan”, Rama tha se kjo me Kosovën – e cila e kundërshton – “as nuk na bashkon, por as nuk na ndan”.

Ndërsa për etiketimet se Rama është “vëllai i Vuçiçit”, ai theksoi se nuk na duhet një Serbi e radikalizaur.

“Qasja jonë është zgjidhja përfundimtare dhe njohja e Kosovës nga Serbia. Paqja e drejtë që u takon shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.

Sakaq, ai u pyet se pse vazhdimisht i drejtohet “Presidenti Hashim Thaçi”, kur në krye të shtetit aktualisht është Vjosa Osmani.

Rama u shpreh i qartë se edhe në SHBA thonë “Presidenti Bushi, Presidenti Obama etj”.

“Se them Presidenti Thaçi, kjo nuk nënkupton që unë nuk e di cila është presidentja e Kosovës. Vjosa gëzon shëndet të plotë dhe s’ka probleme me Gjykatën e Hagës, dhe nuk ka arsye, që kur i adresohem Hashimit po nënçmoj apo anashkaloj presidenten aktuale të Republikës së Kosovës”, e përmbylli Rama fjalën e tij.

Të hënën e 20 qershorit u mbajt mbledhja e tetë dypalëshe mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës.

Gjatë saj u nënshkruan 19 marrëveshje – nga bashkimi doganor, drejtësia, infrastruktura, mbrojtja deri te studentët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore