Shqipëria

‘Pro-serb’, Rama u përgjigjet akuzave: Nuk na duhet një Serbi e radikalizuar


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është përgjigjur akuzave, të cilat morën shkas pas një publikimi në median sociale Facebook të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi shpërndau “pa dashje” një postim të një qytetari, në të cilën Rama, etiketohej si “pro-serb”.

“Këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin e sotëm”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

Fillimisht, kryeministri bëri një batutë lidhur me pyetjen nëse “Rama ishte pro-serb apo…?”.

“Për të ardhur tek pro serbizmi im. Unë jam më shumë se kaq. Jam vëllau i Vuqiqit”, kontekstualizoi ai me shaka atribuimet në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, palët duhet të bëjnë çmos që të rrisin të gjitha ato mundësi që integrojnë këtë pjesë të Europës, që jo pa arsye është dhe pjesa më e prapambetur historikisht, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror.

“Unë nuk hyj në çështjen e administrimit të dialogut me Kosovës dhe Serbisë, kjo është një çështje ekskluzive e autoriteteve këtu dhe në këtë rast e zotërisë (Albin Kurti – AP) dhe gjithë atyre që Kosova i ka zgjedhur, sikundër unë nuk besoj asnjë sekondë të vetme që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë, dëmton në çfarëdo lloj mënyre qasjen apo qëllimin përfundimtar”, shtoi kryeministri.

Ai shtoi se këto janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtin qëllim, që është zgjidhja përfundimtare dhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve dhe Kosovës dhe i takon gjithë rajonit.

“Po të shikoni volumin e qeshjeve dhe të auto-ironisë që na bashkon reciprokisht, mbase do habiteni e pastaj do thoni që jo, ky nuk qenka vëllai i Vuqiqit por qenka vëllau i Albinit. Kështu që më lini të rri vëllau i të dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”, u shpreh Rama në përmbyllje të fjalës së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore