Shqipëria

Rama bën thirrje për një Kuvend të përbashkët Shqipëri-Kosovë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë kërkesë homologut të tij Albin Kurti për ngritjen e një Kuvendi të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

“E fundit, kryeministër, sepse në pjesën tjetër të optimizmit që kthehet në entuziazëm e ke merak vetë, në funksion të optimizmit që kthehet në entuziazëm, unë do t’iu propozoja që duke qenë se jemi në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin Kuvend të përbashkët”, tha fillimisht Rama në fjalën e tij gjatë mbledhjes mes dy Qeverive Kosovë-Shqipëri.

Kjo, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë.

Sipas kryeministrit shqiptar, nëse binden të dy kryesitë për këtë kuvend të përbashkët, “atëherë japim mesazhin për ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve, që këto nuk janë slogane bosh”.

“Mbledhja e 8-të e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me sloganin ‘Të përbashkuar’ materializohet në Kuvendin e përbashkuar të nëntorit”, shtoi Rama.

Kryeministri shqiptar nënvizoi me shumë kënaqësi se, puna e nisur mes dy Kuvendeve, mes dy kryetarëve të Kuvendeve dhe kryesive dhe grupeve parlamentare ka kaluar në një nivel komplet tjetër.

Kjo, sa i përket ndërveprimit dhe ndarjes së informacionit për legjislacionin, si dhe përafrimit të legjislacionit për gjithë ato tema apo fusha ku ka procese që janë të përbashkueshme.

Kjo ide konkrete e Ramës vjen në një kohë ku të shtunën e 18 qershorit, u mbajt takimi i parë i përbashkët në histori i parlamenteve të Rumanisë dhe Moldavisë.

Kryeministri deklaroi sakaq se ka ardhur momenti që të renditen rezultatet konkrete të arritura mes të dyja qeverive – referuar edhe Kosovës.

Ai gjendet së bashku me ministrat shqiptarë në Kosovë për takimin e tetë të këtij rangu mes përfaqësive zyrtare të të dyja vendeve.

Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se dëshironte të rendiste rezultatet si punë e përbashkët mes palëve.

Por, kryeministri ndau edhe disa fjalë të ngrohta për mbërritjen në Kosovë dhe Albin Kurtin.

“Kur ne takohemi, kemi një sinergji të plotë dhe kjo është e rëndësishme”, shtoi Rama.

Kryeministri shqiptar vijoi, duke cilësuar disa shifra, që sipas tij, janë domethënëse.

“Kur ne kemi nisur punën nga afër dhe më intensivisht volumi i shkëmbimeve tregtare ishte 160 milionë euro – sot volumi i shkëmbimeve tregtare 433 milionë euro”, vërejti kryeministri.

Së dyti, Rama kujtoi se në Shqipëri rezultojnë 1 mijë e 225 subjekte biznesi nga Kosova – mes tyre 1 mijë e 81 pronësi 1oo për qind e subjekteve kosovare.

Investimet e Kosovës në Shqipëri, sipas Ramës, në vitin 2017, ishin 9 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 – 139 milionë euro.

“Besoj që është një shifër shumë domethënëse dhe e fundit që dua të sjell në vëmendje është fluksi i investimeve në vlerën më të lartë historike ka qenë 16 milionëshi i vitit 2018, ndërkohë që jemi në 41 milionë në vitin 2021, një indikator jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore